Ndërlidhjet

Ukraina thotë se Rusia humbi mbi 1.000 ushtarë për 24 orë në luftën për Bahmutin


Ushtarët ukrainas pranë Bahmutit, në rajonin e Donjeckut. 8 mars 2023.
Ushtarët ukrainas pranë Bahmutit, në rajonin e Donjeckut. 8 mars 2023.

Ushtria ukrainase pohoi më 12 mars se pala ruse humbi më shumë se 1.000 trupa në 24 orët e fundit, teksa përpjekjet e Moskës për qytetin lindor të Bahmutit vazhduan. Kievi tha se është i vendosur që ta mbrojë këtë qytet.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha më 12 mars se rusët kishin humbur 1.090 ushtarë dhe tetë tanke në 24 orët e fundit.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i konfirmojë këto zhvillime në fushëbetejë. Por, një raport i inteligjencës britanike dhe analistë të tjerë perëndimorë thanë se pala ruse ka humbur shumë trupa, teksa synon rrethimin dhe pushtimin e Bahmutit.

Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, Oleksandr Syrskiy, tha se mbrojtja kokëfortë e Bahmutit "është e nevojshme për të blerë kohë, për të ndërtuar rezerva, dhe për të nisur një kundërofensivë, e cila nuk është larg".

Mediazona, një media e pavarur anti-Putin, tha se 1.638 ushtarë të rregullt rusë dhe mercenarë kanë vdekur në dy javët e fundit të luftimeve në Ukrainë, një nga periudhat më vdekjeprurëse të konfirmuara për forcat e Putinit.

Dje, Ukraina tha gjithashtu se ushtria ruse nisi "më shumë se 100 sulme" përgjatë vijës së frontit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi më 8 mars se qyteti i shkatërruar ukrainas, Bahmut, mund të bjerë në duart e rusëve në ditët në vijim, pasi ky qytet lindor për muaj të tërë po përballet me luftime intensive.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë më 7 mars se kapja e Bahmutit do të ishte hap kyç për nisjen e një ofensive më të gjerë në rajonin e Donjeckut.

Luftimet përreth Bahmutit kanë qenë luftimet më të gjata dhe më të ashprat që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Ekspertët perëndimorë kanë thënë se Bahmuti ka më pak rëndësi strategjike për Rusinë sesa rëndësi simbolike.

XS
SM
MD
LG