Qindra dronë shënjestruan Moskën dhe rajonin përreth saj në ditën e fundit të zgjedhjeve parlamentare në Rusi të dielën, duke i vrarë të paktën dy njerëz dhe duke dëmtuar një rafineri të madhe nafte, sipas autoriteteve ruse.
Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, e cilësoi sulmin e të dielës si më të madhin me dronë deri tani ndaj kryeqytetit rus.
Një objekt në rafinerinë e naftës në Moskë, e cila është shënjestruar edhe më parë, gjithashtu u dëmtua.
“Sulmi më i madh me dronë armiku është zmbrapsur”, tha Sobyanin në Telegram. “Ky sulm i paparë ishte planifikuar qartësisht me synimin për t’i penguar zgjedhjet parlamentare. Armiku nuk ia doli”.
Zgjedhjet për Dumën e Shtetit, të parat që nga nisja e luftës së plotë të Rusisë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, nuk pritet të sjellin ndryshim pasi partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, pritet ta ruajë mbizotërimin, në një sistem politik që kritikët thonë se nuk lejon kundërshtimin.
Kremlini me gjasë do ta paraqesë rezultatin e zgjedhjeve si dëshmi të mbështetjes publike për politikat e Putinit dhe për luftën, e cila tani ka hyrë në vitin e pestë dhe nuk ka shenja se do të përfundojë së shpejti.
Autoritetet zgjedhore thonë se tri ditët e votimit kanë vijuar pa ndonjë telash, pavarësisht sulmeve kibernetike të raportuara të shtunën.
Pjesëmarrja ishte mbi 50 për qind deri në orët e para të pasdites sipas orës së Moskës të dielën, raportoi agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Shumica e kandidatëve kundër luftës nuk janë lejuar të garojnë.
Ata që garuan nga partia liberale Jabloko, e cila në vitet e fundit ka marrë një përqindje njëshifrore në sondazhe, por shpresonte të përfitonte nga lodhja e publikut prej luftës, thanë se kishin frikë për lirinë e tyre pasi gjykatat dënuan me burgim dy figura të larta të partisë para zgjedhjeve, për komentet e tyre lidhur me konfliktin.
Diskreditimi i ushtrisë ose përhapja e atyre që autoritetet e cilësojnë si gjoja lajme të rreme, dënohet me burgim të rëndë.
Në një akt të vogël kundërshtimi, lideri i Yablokos, Nikolai Ribakov, e prishi qëllimisht fletëvotimin, duke shkruar emrin e partisë së tij dhe sloganin “Për paqe”.
Lufta në Ukrainë dhe ngadalësimi i ekonomisë janë faktorë që rëndojnë mbi zgjedhjet.
Megjithëse është e vështirë të bëhen sondazhe të opinionit për shkak të politikave represive që kanë kriminalizuar kundërshtimin ose opozitën ndaj luftës, disa sondazhe kanë treguar rënie të mbështetjes për Putinin, si dhe për Rusinë e Bashkuar.
Në prag të votimit, Putin u bëri thirrje rusëve të dilnin për të votuar, duke thënë se rezultatet do të shërbenin si tregues i mbështetjes për trupat ruse që luftojnë në Ukrainë.
Rezultatet zyrtare nuk priteshin para 21 shtatorit.