Ndërlidhjet

Putin: Sulmet ishin përgjigje ndaj akteve terroriste të Ukrainës


Të vrarë e të plagosur teksa Rusia godet Ukrainën nga ajri
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:58 0:00

Të vrarë e të plagosur teksa Rusia godet Ukrainën nga ajri

Të paktën dhjetë persona janë vrarë dhe 60 të tjerë janë plagosur në sulmet ruse, që goditën qytetet ukrainase mëngjesin e 10 tetorit.

Cak i sulmeve ishte edhe kryeqyteti ukrainas, Kiev, ku u vranë të paktën tetë civilë, dhe u plagosën 24 të tjerë.

Kjo ishte herë e parë pas disa muajsh që Kievi goditet nga shpërthimet ruse.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia qëllimshëm ka planifikuar sulmet ndaj Ukrainës mëngjesin e 10 tetorit, për të shkaktuar sa më shumë viktima civile. Po ashtu, sipas tij, Moska ka shënjestruar infrastrukturën e energjisë së vendit, duke përdurur edhe dronë të prodhimit iranian.

Në Moskë, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se sulmet në Ukrainë ishin kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Kievit, që ai i cilësoi “terroriste”, përfshirë edhe sulmin gjatë fundjavës në urën që lidh Rusinë me Gadishullin e aneksuar të Krimesë.

Zelensky, ndërkaq tha se ka të vrarë dhe të plagosur në një sërë shpërthimesh që goditën qytetet në mbarë Ukrainën.

“Ky mëngjes ishte e vështirë. Ne po përballemi me terroristë”, tha Zelensky përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale. Në video ai u shfaq jashtë zyrës presidenciale.

“Dhjetëra raketa dhe dronë iranianë. Ata kanë dy caqe. Ndërtesat e energjisë në mbarë vendin... Ata duan panik dhe kaos, ata duan ta shkatërrojnë sistemin tonë të energjisë”, tha presidenti ukrainas.

“Caku i dytë janë njerëzit. Kjo kohë dhe këto shënjestra janë zgjedhur për të shkaktuar sa më shumë dëme që është e mundur”.

Ndërkaq, Putin në një takim virtual me anëtarët e Këshillit të Sigurisë së Rusisë, tha më 10 tetor se ushtria ruse ka sulmuar “me armë precize” nga ajri, deti dhe toka, duke shënjestruar ndërtesa kyçe të energjisë dhe të ushtrisë.

Por, sulmet në qytetet e mëdha ukrainase goditën ndërtesat e infrastrukturës dhe zonat e banuara.

Mediat ukrainase po ashtu kanë raportuar për shpërthime edhe në Dnipro, Lviv dhe Ternopil.

“Ata po tentojnë të na shkatërrojnë dhe të na zhdukin nga faqja e dheut... duke shkatërruar njerëzit tanë që po flenë në shtëpitë e tyre në [qytetin e] Zaporizhjës. Po vrasin qytetarë në Dnipro dhe Kiev”, tha Zelensky në Telegram.

Kreu i ushtrisë ukrainase tha se forcat ruse kanë lëshuar të paktën 75 raketa në mëngjesin e së hënës në Kiev dhe në qytetet në jug dhe perëndim të vendit.

“Shteti terrorist, Rusia, ka kryer sulme masive ajrore në territorin e Ukrainës dhe po ashtu ka kryer sulme me dronë. Në mëngjes, agresori ka lëshuar 75 raketa. Dyzetenjë prej tyre janë rrëzuar nga mbrojtja jonë ajrore", tha gjenerali Valeriy Zaluzhny përmes një postimi në rrjetet sociale.

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës tha se do të hakmerret për këto sulme.

“Armiku do të ndëshkohet për dhimbjen dhe vdekjen që ka sjellë në tokën tonë. Ne do të hakmerremi”, tha kjo ministri përmes një postimi në Facebook.

Në qytetin perëndimor ukrainas, Lviv, janë goditur ndërtesat e energjisë dhe infrastrukturë tjetër kyçe që ka lënë qytetin pa rrymë dhe pa ujë, sipas kryetarit të qytetit, Andriy Sadoviy.

“Për shkak të mungesës së rrymës, operacionet në fabrikën termale të qytetit janë pezulluar përkohësisht. Prandaj, nuk ka ujë të ngrohtë për momentin”, tha ai, duke shtuar se “pjesë të qytetit kanë mbetur pa rrymë”.

Ekipet e shpëtimit në vendin e ngjarjes pas sulmeve ruse në Kiev më 10 tetor 2022.
Ekipet e shpëtimit në vendin e ngjarjes pas sulmeve ruse në Kiev më 10 tetor 2022.

Kryetari i Kievit, Vitaliy Klitschko, tha se raketat goditën “infrastrukturën kritike” të kryeqytetit.

“Disa shpërthime në qarkun Shevçenskivski – në qendër të kryeqytetit”, shkroi në Telegram kryetari i Kievit, Vitali Klitscho.

Shpërthimet duket se kanë shënjestruar më shumë pjesë qendrore të Kievit krahasuar me sulmet ruse më herët gjatë luftës. Kryeqyteti ukrainas nuk kishte qenë cak i sulmeve për muaj të tërë.

Shpërthimet në Kiev janë dëgjuar rreth orës 08:15, sipas kohës lokale, thanë gazetarët dhe dëshmitarët.

Nga sulmet ruse është goditur edhe ndërtesa ku gjendet Konsullata gjermane në Kiev. Ministria e Jashtme tha se në kjo ndërtesë, qëkur ka nisur pushtimi rus më 24 shkurt, nuk përdoret.

Ministria e Jashtme e Moldavisë thirri ambasadorin rus që të japë shpjegime, pasi tha se tri raketa ruse kaluan përmes hapësirës së saj ajrore.

“Tri raketa të lëshuara nga Rusia drejt Ukrainës mëngjesin e sotëm, u lëshuan nga anijet ruse në Detin e Zi. Ato kaluan përmes hapësirës ajrore të Moldavisë”, shkroi në Twitter ministri i Jashtëm i Moldavisë, Nicu Popescu.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe aleatët evropianë, kanë kritikuar valën “e tmerrshme” të sulmeve ajrore të Rusisë në Ukrainë.

“Kam folur me ministrin e jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba dhe kam dënuar sulmet e tmerrshme në infrastrukturën civile të Ukrainës”, ka thënë Stoltenberg.

“NATO-ja do të vazhdojë të mbështesë popullin e guximshëm ukrainas për të luftuar kundër agresionit të Kremlinit, aq sa të ketë nevojë”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se është “e shokuar” nga sulmet e Rusisë.

“Rusia ia ka dëshmuar edhe një herë botës se çfarë përfaqëson: terror dhe brutalitet”, ka thënë von der Leyen.

Më 9 tetor, presidenti rus, Vladimir Putin, akuzoi inteligjencën ukrainase për sulmin e fundit ndaj urës që lidh Rusinë me Gadishullin e aneksuar ukrainas të Krimesë. Putin tha se Ukraina ka kryer "akt të terrorizmit".

Putin po ashtu tha se forcat e inteligjencës së Ukrainës kishin pasur për cak të shkatërronin një pjesë kritike të infrastrukturës civile të Rusisë.

Zyrtarët thanë se tri persona u vranë në shpërthimin në Urën Kerç të shtunën.

Ndërkaq, në përditësimin e saj për luftën në Ukrainë, Ministria e Mbrojtjes së Britanisë tha se “forcat ukrainase po vazhdojnë të bëjnë presion ndaj forcave ruse si në verilindje, por edhe në jug, në Herson”.

Megjithatë, inteligjenca britanike tha se Moska po vazhdon të prioritizojë operacionet e saj në lindje të Ukrainës, kryesisht përreth Bahmutit, në rajonin e Donjeckut, ku forcat ruse po vazhdojnë tentimin e tyre për të depërtuar në qytetin që ka pësuar dëme të mëdha nga bombardimet.

Rusia po vazhdon të pësojë humbje, pasi Moska muajin e kaluar njoftoi se për aneksimin e paligjshëm të rajoneve ukrainase të Hersonit, Zaporizhjës, Donjeckut dhe Luhanskut – rajone të pushtuara pjesërisht nga forcat ruse.

XS
SM
MD
LG