Ndërlidhjet

Ulet çmimi i energjisë për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë, i ka miratuar të martën tarifat e reja të energjisë, që nënkuptojnë lirim për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë si dhe për konsumatorët komercialë dhe industrialë.

ZRRE-ja ka thënë se do të ulë për 8 për qind tarifat për konsumatorët familjarë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë, që nënkupton se nga 14.45 centë për kilovat, ata do të paguajnë 13.29 centë për tarifën e ditës, dhe nga 6.81 centë në 6.26 centë për tarifën e natës.

Tarifa e natës - më e lirë - vlen në orarin 22:00 deri në 07:00 të mëngjesit.

Çmimet për konsumatorët komercialë dhe industrialë do të ulen për 3 për qind.

Çmimet e reja do të reflektohen prej faturave të prillit deri më 31 mars të vitit 2025.

Një vendim i tillë, sipas Bordit, është marrë për shkak të rënies së çmimeve në tregjet e energjisë elektrike në Evropë.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e tarifave çdo vit.

Vitin e kaluar, tarifat janë rritur për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa 3.34 centë gjatë natës.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG