Ndërlidhjet

Në UP nuk përfillen masat kundër pandemisë


Studentët e Universitetit të Prishtinës nuk po kontrollohen nëse janë të vaksinuar ose jo kundër koronavirusit.
Studentët e Universitetit të Prishtinës nuk po kontrollohen nëse janë të vaksinuar ose jo kundër koronavirusit.

Pa ndonjë pengesë, studentët në Fakultetin Juridik e Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” hyjnë brenda objektit ku kanë nisur të mbahen ligjëratat.

Edhe pse të gjitha fakultetet kanë autorizuar të paktën një person që të kontrollojë në hyrje të objekteve nëse po respektohen masat kundër koronavirusit, por të njëjtit, për një kohë të gjatë nuk janë parë në hyrje të fakulteteve.

Mungesë e këtij kontrolli vërehet edhe në fakultetet e tjera, si ai i Arteve dhe ai i Edukatës Fizike.

Prorektori për Zhvillim dhe Cilësi, Elton Bahtiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se strukturat e fakulteteve kanë vendosur persona përgjegjës për të kontrolluar të gjithë studentët që hyjnë në fakultete nëse janë të vaksinuar kundër koronavirusit.

Megjithatë, ai nuk është i sigurt nëse kontrollohen të gjithë studentët.

“Ky personi përgjegjës duhet të kërkojë nga gjithsecili person që futet në fakultet dëshminë e vaksinimit apo testet e caktuara. Në të kundërtën, ata që nuk janë të vaksinuar duhet të kthehen prapa”, thotë Bahtiri.

Në Rektoratin e UP-së thonë se mbi 84,000 studentë janë të vaksinuar me dozën e parë, ndërsa 58,536 janë të vaksinuar plotësisht, me të dy dozat e vaksinës.

Prodekani i Fakulteti Juridik, Florent Muçaj, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në kuadër të këtij fakulteti personeli i sigurimit është angazhuar që të bëjë kontrollet për vaksinim, ashtu siç kërkohet edhe me vendimin e qeverisë. Sipas tij, këto kontrolle bëhen në mënyrë të rregullt.

"Ne kemi bërë çfarë është e mundur brenda hapësirave që kemi, që në mënyrë rigoroze t'i respektojnë rregullat kundër COVID-19. Keni parasysh edhe faktin që ndajmë të njëjtin objekt me Fakultetin Ekonomik dhe respektivisht përgjegjësitë janë të ndara", thotë Muçaj.

Mirëpo, kur gazetarët e Radios Evropa e Lirë ishin të pranishëm në hyrje të këtyre dy fakulteteve, studentët nuk kontrolloheshin në hyrje dhe as personat përgjegjës për këto kontrolle nuk gjendeshin në hyrje të objekteve.

Në hyrje të një prej fakulteteve të UP-së nuk shihet asnjë person që kontrollon studentët nëse janë të vaksinuar ose nëse posedojnë dëshmi se nuk janë të infektuar me koronavirus.
Në hyrje të një prej fakulteteve të UP-së nuk shihet asnjë person që kontrollon studentët nëse janë të vaksinuar ose nëse posedojnë dëshmi se nuk janë të infektuar me koronavirus.

Brenda Fakultetit Juridik, në sallat ku mbahen ligjëratat, janë të vendosura shenjat që ua bëjnë me dije studentëve ku duhet të ulen në mënyrë që të mbajnë distancën fizike, të kërkuar sipas masave të qeverisë.

Nexhmie Vokshi, profesoreshë në Fakultetin Ekonomik, thotë për Radion Evropa e Lirë se vetëm studentët e vaksinuar dhe ata që ofrojnë dëshmi se nuk janë të infektuar me koronavirus, mund t’i ndjekin ligjëratat.

“Gjithsesi, studentët duhet të jenë të vaksinuar. Ende nuk kemi ndonjë vendim ose rregull se a duhet edhe profesori të kërkojë dëshmi nga studentët se a janë të vaksinuar përveç kontrolleve që u bëhet në hyrje nga sigurimi”, shprehet Vokshi.

Punëtorët e sigurimit, vetëm pas qëndrimit të gazetarëve të Radios Evropa e Lirë në disa fakultete, nisën kontrollimin e studentëve.

Disa punëtorë të sigurimit thanë se nuk ka staf të mjaftueshëm që të kontrollohen të gjithë studentët.

Kontrolle, mesditën e së martës, më 19 tetor, nuk kishte as në hyrje të Fakultetit Filozofik e as në atë të Filologjisë.

Disa nga studentët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë thanë se janë të vaksinuar me të dyja dozat e disa me një. Ata kanë mendime të ndryshme rreth asaj se a duhet të lejohen të hyjnë në sallën ku mbahen ligjëratat edhe studentët që nuk janë të vaksinuar.

Kujtimi, student në Fakultetin Ekonomik, thotë se me kohë është vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit. Për të, nuk do të ishte problem që një koleg i tij t'i përcjellë ligjëratat edhe nëse nuk do të ishte i vaksinuar.

“Unë jam pajtuar me të se ky virus do të jetë gjatë në mesin tonë”, thekson ai.

Por, ndryshe mendon Albiona Mollopolci, e cila thotë se nuk do të pranonte të merrte pjesë në një ligjëratë me dikë që është i pavaksinuar kundër koronavirusit.

“Nuk do të doja të jem afër dikujt që nuk është i vaksinuar. Pse të infektohem unë nga ai, kur ai e ka mundësinë që të vaksinohet?”, thotë Mollopolci.

E, sipas Sara Beqanit, që studion në Fakultetin Juridik, masat kundër pandemisë COVID-19 duhet të respektohen kudo.

“Të gjithë jemi të rrezikuar, të vaksinuar e të pavaksinuar. Edhe për mua do të ishte problem që të rrija në një ligjëratë me dikë që nuk është i vaksinuar”, u shpreh ajo.

Vaksina, pasaportë për argëtim
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:46 0:00

Sipas drejtoreshës së Institutit të Shëndetësisë Publike në Mitrovicë, epidemiologes Teuta Fejza, mosrespektimi i masave mund të rrisë rastet me koronavirus.

“Masat mbrojtëse janë të caktuara dhe nëse ato nuk respektohen kudo, jo vetëm në fakultete, rastet mund të rriten. Në këtë rast, edhe fakultetet mund të jenë burim i infektimeve”, thotë Fejza.

Ditëve të fundit numri i rasteve me COVID-19, në Kosovë ka rënë ndjeshëm, ndërkohë mosrespektimin i masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë vërehet kudo, sidomos në rrugë ku njerëzit nuk bartin maska. Mosrespektimi i masave sidomos vërehet nëpër kafiteri.

Sipas masave, të cilat janë në fuqi nga data 27 shtator, institucionet, por edhe bizneset e gastronomisë janë të obliguara që të caktojnë një apo më shumë persona përgjegjës, që do të kontrollojnë posedimin e certifikatës së vaksinimit ose testet negative për COVID-19.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG