Një burrë tha se udhëtimi në mëngjes për në punë kishte zgjatur tri deri në katër orë. Një tjetër parashikoi vështirësi të mëdha, por tha se mbetet optimist. Ndërkaq, një grua tha se i duhet të zgjohet shumë më herët për shkak të tollovive në komunikacion dhe vonesave të transportit publik.
I ndarë në dy pjesë nga lumi Dnjepër, kryeqyteti i Ukrainës lidhet përmes shtatë urave rrugore dhe hekurudhore, të cilat u mundësojnë tre milionë banorëve të Kievit të jetojnë, punojnë dhe të zhvillojnë aktivitetet e tyre të përditshme, edhe në kohë lufte.
Që nga fillimi i muajit tetor, Rusia i ka sulmuar këto ura me ashpërsi gjithnjë e më të madhe, duke shtuar edhe më shumë ankthin ndaj qytetit që tashmë po përgatitet për një dimër të vështirë, si rezultat i sulmeve ruse ndaj rrjetit energjetik dhe sistemit të ngrohjes në Ukrainë.
Kjo javë ka qenë veçanërisht e rëndë dhe qarkullimi në ura është kufizuar vetëm për transportin publik për autobusët dhe trenat e metrosë. Më 20 nëntor, një valë e re sulmesh dëmtoi dy nga urat, duke e detyruar kryetarin e Kievit, Vitali Klitschko, që njërën prej tyre ta mbyllte plotësisht. Të paktën tetë persona u vranë.
Autoritetet e komunale dhe ato kombëtare po ngarendin që të gjejnë alternativa në rast se njëra ose disa prej urave shkatërrohen plotësisht nga raketat ose dronët.
“Për shkak të sulmeve sistematike ndaj urave, po krijojmë rrugë alternative për njerëzit, furnizimet e komuniteteve, shërbimet emergjente dhe nevojat e mbrojtjes. Në total, janë planifikuar 21 kalime të kombinuara ujore. Puna ka nisur tashmë në kryeqytet”, tha ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Mykola Kalashnyk, përmes një postimi në Telegram më 30 tetor.
Megjithatë, për këtë çështje nuk ka zgjidhje të lehta.
Disa banorë të Kievit, të cilët po përballen me gati pesë vjet luftë në shkallë të plotë, janë të zhgënjyer që autoritetet e qytetit nuk kanë bërë më shumë për t’u parapërgatitur për problemet e mundshme me kalimet mbi lumë.
“Në kohë lufte, ata as që e kanë parashikuar se mund të krijohej një situatë e tillë”, i tha Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë një grua, e cila nuk pranoi të prezantohej. “Është shumë e trishtueshme dhe kjo është një njollë e zezë për kryetarin tonë të qytetit”.
“Nuk kemi nevojë për parqe [të reja] gjatë luftës. Ajo që na duhet është më shumë infrastrukturë, në mënyrë që njerëzit të mund të shkojnë në punë pa probleme”, tha ajo. “Sepse në mëngjes është një sfidë më vete, e njëjta gjë ndodh edhe në mbrëmje”.
Një lumë që e përshkon qytetin
Dnjepri është i gjerë, por jo veçanërisht i thellë dhe ngrin rregullisht kur dimrat në Ukrainë bëhen shumë të acartë, gjë që i shton problemet inxhinierike. Gjithashtu, ndonëse ka shumë ura mbi lumë, qasja në brigjet e tij, përmes rrugëve dhe transportit publik, është e kufizuar.
Një nga propozimet parasheh ndërtimin e urave lundruese, për të mundësuar kalimin e automjeteve përtej lumit.
Problemi me këtë zgjidhje është se duhet të ndërtohen argjinatura në brigjet e lumit, për t’i ankoruar urat në tokë. Një pjesë e punimeve fillestare ka nisur në të paktën një lokacion, por rrymat e lumit tashmë kanë marrë me vete një pjesë të rërës dhe gurëve që janë përdorur gjatë punimeve, tha Anna Minyukova, inxhiniere e urave dhe tuneleve të transportit.
“Kjo ndodh sepse punimet po kryhen pa projektim formal, sipas një procedure të thjeshtuar, në përpjekje për t’i përshpejtuar ato”, tha ajo. “Afatet janë vendosur – dy deri në tre muaj, ndërsa sipas propozimit të fundit operimet do të nisnin në shkurt – dhe janë jorealiste, veçanërisht pasi disa nga materialet e nevojshme sigurohen nga jashtë vendit”.
Zyrtarët kanë shqyrtuar gjithashtu mundësinë e sjelljes së një flote të mjeteve lundruese me hidrofoila me shpejtësi të lartë (mjet lundrues që përdor krahë nënujorë për t'u ngritur mbi sipërfaqen e ujit dhe për të lëvizur me shpejtësi më të madhe) për të transportuar njerëzit përtej lumit.
Megjithatë, ashtu si në rastin e urave lundruese, edhe ky plan do të kërkonte ndërtimin e infrastrukturës së re, si për shembull molë dhe rrugë. Këto mjete lundruese do të mund të transportonin vetëm një pjesë të vogël të numrit të udhëtarëve që kalojnë përmes urave apo rreth 80 pasagjerë secila.
Hidrofoilat e projektuara në kohën sovjetike njihen po ashtu për konsumin e madh të karburantit. Për më tepër, ato lëvizin me shpejtësi vetëm kur ngrihen mbi sipërfaqen e ujit, duke u mbështetur në “krahët” e tyre nënujore, tha Dmytro Bespalov, ekspert i mobilitetit në transport.
“Edhe pse këto mjete janë në gjendje të ngrihen mbi hidrofoila dhe të rrisin shpejtësinë, konsumi i karburantit bëhet aq i lartë saqë kostot rriten jashtëzakonisht shumë”, tha ai. “Mund të jem gabim, por më kujtohet se kam dëgjuar një shifër prej rreth 120 litrash naftë në orë”.
Mbi apo nën lumë?
Dhe pastaj është tuneli.
Zyrtarët kanë hedhur idenë e ndërtimit të një ose disa tuneleve nën Dnjepër. Sistemi i gjerë i metrosë së qytetit, i ndërtuar në epokën sovjetike, ka dy linja që kalojnë drejt bregut të majtë, ose lindor, ku jeton më shumë se gjysma e banorëve të qytetit.
Por, trenat e metrosë në këto linja kalojnë mbi Dnjepër, përmes urave.
Tashmë janë identifikuar pesë lokacione të mundshme për ndërtimin e tuneleve, ndërsa një kompani amerikane, emri i së cilës nuk është bërë i ditur, u ka shprehur interesin zyrtarëve ukrainas për projektin.
Përveç kostos, një tjetër problem me tunelin është koha e nevojshme për projektimin dhe ndërtimin e tij. Do të duheshin vite para se ai të bëhej funksional.
“Edhe në kushtet më të mira të mundshme, ndërtimi do të zgjaste nga tre deri në gjashtë vjet, dhe kjo duke supozuar se financimi do të ishte i vazhdueshëm dhe i planifikuar mirë, si dhe se situata e sigurisë do të ishte e qëndrueshme”, tha Vitaliy Selyk, bashkëthemelues i organizatës bamirëse Smilyvi Vidnovlyuvaty, e cila ndihmon në rindërtimin e komuniteteve të shkatërruara nga lufta.
“Ndërtimi i një tuneli do të kërkonte dy kantiere të mëdha ndërtimi – aq të mëdha sa të mund të shiheshin edhe nga hapësira – në të dy brigjet e Dnjeprit, në anën e djathtë dhe të majtë. A do të dëshironte ndonjë punëtor civil të punonte në një kantier që është vazhdimisht nën sulm?”, tha ai.
“Ndoshta është një manovër ushtarake për ta hutuar armikun”, tha Bespalov. “Por, një projekt për ndërtimin e tunelit nuk ka të bëjë fare me zgjidhjen e problemeve me të cilat përballemi këtu dhe në këtë moment. Në Evropën Qendrore, ndërtimi i një tuneli zakonisht zgjat nga pesë deri në dhjetë vjet”.
Të demoralizuar nga trafiku i rënduar dhe autobusët e trenat e metrosë të mbipopulluar, shumë banorë të Kievit kanë nisur të ecin në këmbë përmes urave, duke kursyer kohë në disa raste.
Një burrë, i cili u prezantua me emrin Serhiy, tha se po kërkon një punë të re në lagjet e bregut lindor, në mënyrë që të mos i duhet të kalojë lumin.
“Nuk dua të përdor fjalë të pista, por po mendoj për Putinin”, tha ai, duke iu referuar presidentit rus.
Një tjetër burrë, i cili po kthehej në këmbë nga puna, tha se nëse dimri do të jetë i ftohtë, ai është i gatshëm të gjejë edhe një mënyrë më kreative për të shkuar në punë:
“Thjesht do të marr dy qen husky nga një strehimore dhe do të gjej një slitë”.
“Do t’i marr me vete për të kaluar Dnjeprin”, tha ai, duke mos dashur që të prezantohet.