Ndërlidhjet

Ushtarët paralajmërojnë për “luftë civile” në Francë


Një ushtar duke patrulluar në Paris.
Një ushtar duke patrulluar në Paris.

Një revistë e krahut të djathtë në Francë tha se mbi 100,000 njerëz kanë nënshkruar një letër të hapur të një grupi ushtarësh në shërbim, që paralajmërojnë për kërcënimin e luftës civile në Francë.

Letra, e publikuar të dielën vonë në “Valeurs Actuelles”, e akuzon Qeverinë për “koncesione” ndaj islamizmit dhe thotë se çështja “ka të bëjë me mbijetesën e vendit tonë”.

Revista tha se gati 133,000 njerëz e kanë nënshkruar letrën deri të hënën, në orën 1:30 pasdite.

Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin - aleat i ngushtë i presidentit Emmanuel Macron - e cilësoi letrën si një “manovër të vrazhdë” dhe akuzoi nënshkruesit e saj për mungesë të “guximit”.

Qeveria e ka dënuar edhe një letër të ngjashme, të publikuar muajin e kaluar nga disa zyrtarë francezë dhe 20 gjeneralë gjysmë të pensionuar, duke e konsideruar atë si ndërhyrje të papranueshme të ushtrisë në politikë.

Gjenerali i lartë i Francës është zotuar atëbotë se ata që qëndrojnë pas letrës, do të ndëshkohen.

Numrat dhe gradat e nënshkruesve fillestarë të letrës së fundit janë të paqarta.

Ata e përshkruajnë veten si ushtarë aktivë të gjeneratës së re të ushtrisë që ka shërbyer në Afganistan, Afrikë dhe gjetkë, ose që i është bashkuar operacionit të brendshëm anti-terrorist, që ka nisur pas një vale të sulmeve islamiste, në vitin 2015.

Dy letrat vijnë përpara zgjedhjeve të vitit 2022 në Francë, kur sfiduese e presidentit Macron pritet të jetë sërish udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

XS
SM
MD
LG