Ndërlidhjet

Një ushtar rus dënohet me 10 vjet burgim


Një ushtar rus. Fotografi ilustruese.
Një ushtar rus. Fotografi ilustruese.

Një gjykatë në Ukrainë ka dënuar një ushtar rus nga Siberia me 10 vjet burgim për granatimin e një ndërtese banimi në qytetin verior të Ukrainës, Chernihiv, në fund të shkurtit.

Gjykata e këtij qyteti dënoi më 8 gusht rreshterin Mikhail Kulikov pasi ai u deklarua fajtor për gjuajtjen me një top tanku në një ndërtesë të lartë banimi, më 26 shkurt, dy ditë pasi Rusia filloi pushtimin e saj të të paprovokuar të Ukrainës.

Kulikov tha në gjyq se kishte ndjekur urdhrin e mbikëqyrësit të tij, i cili duke bërtitur tha se në ndërtesë ishte një person me një granatahedhës, që më vonë doli të ishte e pavërtetë. Granatimet nuk shkaktuan viktima, por shkatërruan dy apartamente private.

"Dua t'u them të gjithë atyre që u prekën nga ajo që bëra, si moralisht ashtu edhe fizikisht, se më vjen keq. Jam penduar për atë që kam bërë që nga fillimi e deri më sot. Më vjen shumë keq. Më falni. Dua vetëm të shkoj në shtëpi për familjen time. Faleminderit për gjithçka", tha ai para gjykatës.

Burime në qytetin e lindjes së Kulikovit, Zarinsk në rajonin e Altai Krai i thanë Radios Evropa e Lirë se 31 vjeçari Kulikov shërbeu në një njësi tankesh në qytetin Aleisk.

Më herët në maj, një tjetër ushtar rus nga Siberia, Vadim Shishimarin, u dënua me burgim të përjetshëm pasi qëlloi për vdekje një civil në rajonin verilindor të Ukrainës, Sumy. Ky dënim më vonë u zëvendësua me 15 vjet burg.

Gjithashtu në maj, një gjykatë në qytetin verilindor të Ukrainës, Kotelva, dënoi dy ushtarë rusë, Aleksandr Ivanov dhe Aleksandr Bobykin, me 11 vjet e gjysmë burg secili.

Ata u shpallën fajtorë për granatimin dhe shkatërrimin e disa ndërtesave të banimit në qytetin Kozacha Lopan dhe një shkollë në qytetin Veterinarne në rajonin lindor të Harkiv më 24 shkurt, ditën e parë të pushtimit rus të Ukrainës.

XS
SM
MD
LG