Ndërlidhjet

Austria izolon personat e pavaksinuar kundër COVID-19


Vaksina kundër COVID-19

Austria ka vendosur në izolim miliona persona që nuk janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19.

Ky vendim hyn në fuqi të hënën më 15 nëntor si një përpjekje për të luftuar infektimet që kanë arritur nivele rekorde.

Evropa është epiqendra e pandemisë së COVID-19 sërish, duke bërë që disa qeveri të konsiderojnë vendime për izolime.

Austria ka një ndër shkallët më të larta të infeksionit brenda kontinentit.

Ky shtet është i pari në Evropë që ka vendosur të kthejë në fuqi disa masa kufizuese për lëvizjet e përditshme të njerëzve, masa këto që kishin vlejtur gjatë kohës kur nuk kishte ende vaksinim kundër COVID-19.

Kësaj radhe, këto masa vlejnë vetëm për një pjesë të popullsisë, ata të pavaksinuar plotësisht kundër COVID-19.

“Nuk po e marrim lehtë këtë hap, por është e nevojshme", tha Kancelari i Austrisë, Aleksandër Schallenberg, duke njoftuar për masat e reja.

Këto masa parashohin që njerëzit e pavaksinuar munden të dalin nga shtëpitë vetëm për disa arsye të limituara, si për të shkuar në punë apo për të blerë gjërat esenciale.

Rreth 65 për qind të popullsië së Austrisë është e vaksinuar plotësisht kundër COVID-19 dhe kjo është ndër shkallët më të ulëta të vaksinimit në Evropën perëndimore.

Shumë austriakë janë skeptikë lidhur me vaksinat kundër COVID-19, një pikëpamje e inkurajuar nga partia e ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë, e treta më e madhja brenda Parlamentit të Austrisë.

Masat që hyjnë në fuqi të hënën janë vazhdimësi e masave që u ndërmorën javën e kaluar që i ndaluan të pavaksinuarve të hyjnë në restaruante, hotele, teatro apo teleferikë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Austrisë, Karl Nehammer ka bërë të ditur se do të ketë kontroll të gjerë nga Policia dhe për shkelje të rregullave do të ketë gjoba deri në 1.450 euro.

“Që nga nesër, secili qytetar, secili person që jeton në Austri duhet të dijë se mund të kontrollohet nga Policia", tha Nehammer në konferencë për media.

Dëshmi që vërteton se jeni vaksinuar, shëruar nga COVID-19 ose jeni testuar negativ së fundmi është kërkuar prej muajsh në vende të ndryshme, duke përfshirë restorante, teatro, kafene dhe parukeri.

XS
SM
MD
LG