Ndërlidhjet

Vaksina kundër HPV-së redukton rrezikun e kancerit të qafës së mitrës


Savannah, 12 vjeç, merr vaksinës kundër hepatitit, HPV-së dhe meningjitit në Uestminster, Kaliforni, SHBA, 19 gusht 2021.

Vaksina kundër papilloma virusit (HPV), ka zvogëluar rastet e kancerit të qafës së mitrës me gati 90 për qind, sipas një studimi të botuar të enjten.

Organizata e Britanisë së Madhe "Cancer Research" i përshkroi gjetjet si "historike" duke thënë se rezultatet dëshmojnë se vaksina po shpëton jetë.

Pothuajse të gjitha kanceret e qafës së mitrës shkaktohen nga viruset dhe shpresa është se përmes vaksinimit, sëmundja mund të eliminohet.

Studiuesit karahasuan shkallën e rasteve me kancer të qafës së mitrës para programit të imunizimit me vaksinën kundër papilloma virusit dhe pas këtij programi.

Ata erdhën në përfundimin se kishte një "reduktim të konsiderueshëm", veçanërisht në mesin e grave më të reja që e kanë marrë vaksinën, sipas rezultateve të publikuara në revistën mjekësore The Lancet.

Në Mbretërinë e Bashkuar vajzave u ofrohet vaksina midis moshës 11 dhe 13 vjeç, në varësi të vendit ku jetojnë. Vaksina u ofrohet edhe djemve që nga viti 2019.

"Studimi ynë ofron dëshminë e parë të drejtpërdrejtë të efektit të vaksinimit kundër HPV-së me shkallën e të sëmurëve me kancerin e qafës së mitrës", shkruajnë autorët.

Reduktimi i rrezikut ishte më i dukshëm tek ata që ishin vaksinuar në moshat më të hershme të mundshme 12-13 vjeç, me një rënie prej 87 për qind. Ata të imunizuar nga mosha 16-18 vjeç kishin një rënie të rrezikut prej 34 për qind, zbuloi studimi.

Kanceri i qafës së mitrës, i cili shkaktohet nga HPV - një infeksion i zakonshëm seksualisht i transmetueshëm - është i shërueshëm nëse zbulohet dhe trajtohet herët.

Vitin e kaluar, Organizata Botërore e Shëndetësisë nisi një strategji globale për të eliminuar sëmundjen.

Kanceri i qafës së mitrës vret qindra mijëra gra çdo vit.

Në Kosovë vaksina kundër HPV nuk është në kalendarin e vaksinimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, andaj edhe gratë nuk e kanë mundësinë të vaksinohen.

XS
SM
MD
LG