Ndërlidhjet

A duhet të vaksinohem për COVID-19 nëse e kam tejkaluar virusin?


Vaksina të kompanisë Pfizer kundër koronavirusit.
Vaksina të kompanisë Pfizer kundër koronavirusit.

Po. Pavarësisht infektimit fillestar, Qendra amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, ka thënë se njerëzit duhet të planifikojnë vaksinimin kur t'iu vijë radha.

“Kjo është pyetje shumë e drejtpërdrejtë”, ka thënë specialisti i sëmundjeve infektive, Amesh Adalja.

“Po, duhet të vaksinoheni”.

Kur dikush shërohet, sistemi i tyre imunitar nuk lejon që ata të sëmuren menjëherë.

“Sistemi juaj imuniar është i gatshëm të identifikojë virusin dhe ta mbrojë veten”, ka thënë mjekja Saksia Popescu, eksperte për sëmundje infektuese në Universitetin George Mason, transmeton agjencia e lajmeve AP.

Shkencëtarët nuk e dinë ende saktë sa zgjat imuniteti apo sa i fortë është, ndonëse në disa punime kërkimore sugjerohet se mbrojtja mund të zgjasë për disa muaj.

“Është e pamundshme që të dihet sa gjatë mund të ketë imunitet një person”, ka thënë mjeku Prathit Kulkarni, ekspert për sëmundje infektive në Kolegjin për Mjekësi, Baylor.

“Nuk kemi mundësi ta kalkulojmë këtë gjë”.

Vaksinat, në anën tjetër, janë të dizajnuara që të ofrojnë përgjigjje imunitare më të gjatë. Ekspertët thonë se ato duhet të rrisin imunitetin e një njeriu, pavarësisht se në çfarë gjendje është pas infektimit.

“Meqë jemi në këtë pandemi dhe nuk kemi dorë në të, qasja më e sigurt është vaksinimi”, ka thënë Kulkarni.

“Nuk humbisni asgjë, vetëm përfitoni”.

Nëse keni qenë të infektuar në tre muajt e fundit, Qendra amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, ka thënë se është në rregull që të shtyhet vaksinimi, nëse dëshironi të lejoni të tjerët ta kryejnë këtë gjë para jush, meqë dozat janë të kufizuara.

Studimi britanik: Infektimi ofron imunitet për të paktën pesë muaj

Të dhënat preliminare të disa shkencëtarëve nga agjencia publike, Shëndeti Publik në Angli, kanë treguar se njerëzit që kanë tejkaluar sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi, janë imunë për të paktën pesë muaj, ndonëse nuk ka të dhëna nëse personat me antitrupa mund ta bartin dhe ta shpërndajnë virusin, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Në mesin e gjetjeve është parë edhe se infektimet për herë të dytë me COVID-19 janë të rralla – vetëm 44 raste janë gjetur në mesin e 6,614 personave të përfshirë në studim.

Megjithatë, ata tërheqin vërejtjen se gjetjet nënkuptojnë se personat që janë prekur nga koronavirusi në valën e parë të pandemisë në muajt e parë të vitit 2020, tani mund të preken sërish nga ai.

Ata kanë paralajmëruar se njerëzit me të ashtuquajturin “imunitet natyral” – të cilin e kanë siguruar pas infektimit – mund ta kenë ende koronavirusin në hundën dhe fytin e tyre dhe mund ta bartin atë pa dëshirë.

“Ne e dimë tani se shumica e atyre që kanë pasur virusin dhe kanë krijuar antitrupa, janë të mbrojtur nga infektimi i dytë, mirëpo kjo nuk është e gjitha dhe nuk kemi njohuri sa zgjat mbrojtja”, ka thënë Susan Hopkins, këshilltare e lartë mjekësore në Shëndetin Publik në Angli dhe njëra nga udhëheqëset e studimit, gjetjet e së cilës janë publikuar më 14 janar.

“Kjo nënkupton që edhe nëse besoni se keni pasur sëmundjen dhe jeni të mbrojtur, mund të siguroheni se ka pak mundësi që të përballeni me infektim të rëndë. Por, ende ekziston rreziku që mund të infektoheni dhe ta transmetoni virusin te të tjerët”.

Përmes një letre të bashkëngjitur me studimin, shkencëtarët kanë thënë se gjetjet nuk kanë përfshirë përgjigjjen e antitrupave apo lloje tjera të imunitetit ndaj vaksinave që tani po shpërndahen kundër sëmundjes COVID-19, apo rreth asaj se sa efektive mund të jenë vaksinat.

Aty është thënë se përgjigjja ndaj vaksinave do të shqyrtohet më vonë gjatë këtij viti.

I njohur si SIREN, studimi përfshin dhjetra mijëra punëtorë shëndetësorë në Britani, të cilët janë testuar vazhdimisht për koronavirus nga muaji qershor, ashtu sikurse për prezencën e antitrupave.

Në periudhën 18 qershor – 24 nëntor, shkencëtarët kanë vërejtuar 44 infektime potenciale për herë të dytë, pas analizimit të 6,614 pacientëve që kanë rezultuar pozitivë në testet për antitrupa.

Sipas tyre, këto shifra tregojnë për 83 për qind mbrojtje nga infektimi i dytë.

Shkencëtarët kanë thënë se planifikojnë të vazhdojnë kontaktin me pjesëmarrës për të parë nëse imuniteti i tyre natyral do të zgjasë më shumë se pesë muaj.

Megjithatë, ata kanë paralajmëruar se të dhënat fillestare nga fazat e para të studimit tashmë sugjerojnë se disa njerëz me imunitet mund të bartin ende nivele të larta të virusit dhe mund ta transmetojnë atë te të tjerët.

“Prandaj është tejet e rëndësishme që secili të respektojë rregullat dhe të qëndrojë në shtëpi, edhe nëse e kanë pasur paraprakisht koronavirusin”, është thënë në deklaratën e shkencëtarëve.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG