Ndërlidhjet

Nis vaksinimi masiv, MSH-ja thotë se ka doza të mjaftueshme


Një punëtor shëndetësor në Kosovë bëhet gati të administrojë një vaksinë kundër koronavirusit.

Mbi 320 mijë qytetarë pritet që të vaksinohen kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusin, gjatë një muaji, ka thënë ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, gjatë një vizite që bërë në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, me rastin e fillimit të vaksinimit masiv të qytetarëve.

Ministri Vitia tha se Kosova ka doza të mjaftueshme të vaksinave kundër COVID-19, edhe pse nuk tregoi numrin e saktë të tyre.

Deri në fund të këtij muaji, Vitia tha se në Kosovë do arrijë kontingjenti i parë i vaksinave nga kompania farmaceutike amerikane, Pfizer, kompani me të cilën, Kosova ka nënshkruar kontratë për blerjen e 1.2 milion dozave.

“Edhe rreth 40 mijë doza të vaksinave pritet të arrijnë në Kosovë nga COVAX-i (program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë). Së bashku me dozat tjera që presim të arrijnë nga COVAX-i dhe miqtë tanë ndërkombëtarë, deri në fund të vitit, ne do kemi në dispozicion rreth dy milionë doza të vaksinave kundër COVID-19”, tha ai.

Sigurimi dhe administrimi i vaksinave është përgjegjësi e qeverisë, por gatishmëria për t’iu përgjigjur ftesës për vaksinim është përgjegjësi e qytetarëve, deklaroi Vitia dhe ftoi qytetarët që të vaksinohen.

Ai po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u përbahen termineve të përcaktuara për vaksinim dhe në qendra të vaksinimit të paraqiten vetëm pas marrjes së thirrjes për vaksinim.

Kohëve të fundit, në Kosovë ka rënë dukshëm numri i rasteve të reja me koronavirus dhe rasteve të vdekjes. Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus, autoritetet kanë regjistruar mbi 107 mijë raste. Prej tyre, 2,250 raste kanë përfunduar me fatalitet. Aktualisht, raste aktive janë 345.

XS
SM
MD
LG