Ndërlidhjet

Të paktën 9 të vdekur në Vankuver pasi vetura godet turmën gjatë festivalit


Policia mbërrin n vendngjarje ku një veturë shtypi turmën e njerëzve gjatë një festivali në Vankuver, Kanada, 27 prill.
Policia mbërrin n vendngjarje ku një veturë shtypi turmën e njerëzve gjatë një festivali në Vankuver, Kanada, 27 prill.

Të paktën nëntë njerëz kanë vdekur në Vankuver pasi një veturë e shtypi turmën e njerëzve në një festival rrugor në qytetin perëndimor të Kanadasë, njoftoi policia të dielën.

Policia tha se e ka arrestuar një 30-vjeçar nga Vankuveri në vendin e ngjarjes dhe se i dyshuari është "i njohur" për ta, por nuk dha më shumë hollësi. I dyshuari fillimisht ishte ndaluar nga njerëzit në vendin e ngjarjes.

“Në këtë çast, jemi të bindur se ky incident nuk ishte akt terrorizmi”, tha policia e Vankuverit në një postim në X.

Incidenti ndodhi pak pas orës 20:00, me kohën lokale, pranë një rruge ku po zhvillohej Festa e Ditës së Lapu Lapu, në nderim të një heroi kombëtar filipinas.

Kryeministri kanadez, Mark Carney, tha në X: “Jam i shkatërruar nga lajmi për ngjarjet tragjike në festivalin Lapu Lapu në Vankuver këtë mbrëmje”.

Jagmeet Singh, udhëheqës i Partisë Demokratike të Re të Kanadasë, ishte në mesin e pjesëmarrësve në këtë festival, por u largua disa minuta para se automjeti të mbërrinte, raportoi CTV News.

"Është e tmerrshme, nuk di çfarë të them", citohet Singh nga CTV. "Isha aty dhe më shfaqen në mendje fytyrat e fëmijëve që pashë duke buzëqeshur dhe kërcyer".

Një dëshmitar, i cili nuk dëshiroi të identifikohej, tha se kishte parë rreth 15 persona të shtrirë në tokë pasi një veturë e zezë shtypi turmën me shpejtësi. Dëshmitari tha se drejtuesi i mjetit kishte tentuar të arratisej, por ishte ndjekur nga pjesëmarrësit e festivalit dhe ishte mbajtur pranë një gardhi për rreth 10 minuta deri sa mbërriti policia.

Gazeta Vancouver Sun raportoi se mijëra njerëz ndodheshin në atë zonë.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG