Ndërlidhjet

Shqipëria regjistron dy raste me variantin Omicron


Një punëtor shëndetësor kontroll qytetarët në Aeroportin e Tiranës. Fotografi nga arkivi.
Një punëtor shëndetësor kontroll qytetarët në Aeroportin e Tiranës. Fotografi nga arkivi.

Komiteti Teknik i Ekspertëve shëndetësorë bëri të ditur të enjten se Shqipëria ka regjistruar rastet e para me variantin Omicron të koronavirusit.

Deri tani janë konfirmuar dy raste me variantin e ri Omicron, pas analizimit të mostrave, që u dërguan në një laborator në Gjermani.

Kryetarja e Komitetit, Mira Rakacolli bëri të ditur se gjendja është e qëndrueshme, ndërkohë që në Shqipëri aktualisht mbizotëron varianti Delta.

“Situata epidemiologjike në botë, prania e virusit Omicron për t’u shpërndarë shumë më shpejt se sa paraardhësit e tij bën të domosdoshëm respektimin e përgjegjshëm të këtyre masave, që të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që nuk po zbatohen në nivelin e kërkuar me insistim nga të gjitha strukturat tona shëndetësore”, tha Rakacolli duke shtuar se masat shtrënguese që janë në fuqi për momentin do të vazhdojnë të qëndrojnë të njejta.

Ajo tha se tashmë me praninë e variantit Omicron situata bëhet edhe më e ndjeshme, duke ju bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen.

Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë regjistruar 343 raste të reja me koronavirus dhe dy persona kanë humbur jetën.

Që nga shpërthimi i pandemisë në vend janë regjistruar 206,616 raste me COVID-19. Prej tyre 3,180 kanë humbur jetën si pasojë e virusit.

Varianti Omicron i koronavirusit është detektuar për herë të parë në Afrikën e Jugut në muajin nëntor. Që atëherë, është përhapur në dhjetëra shtete në mbarë botën.

Shkencëtarët ende nuk e kanë përcaktuar nëse ky variant shkakton sëmundje më të rëndë apo nëse shmang mbrojtjen që ofrojnë vaksinat ekzistuese kundër koronavirusit.

XS
SM
MD
LG