Ndërlidhjet

Bosnja regjistron rastet e para me Omicron


Një qendër vaksinimi kundër koronavirusit në Sarajevë. 29 shtator 2021.

Bosnje e Hercegovina ka regjistruar dhjetë rastet e para me variantin Omicron të koronavirusit, thanë zyrtarët shëndetësorë. Ata shtuan se numri i infektimeve me këtë variant, që është më ngjitës, mund të jetë më i lartë.

Goran Çerkez, këshilltar i Ministrisë së Shëndetësisë në Federatën boshnjake e kroate të Bosnjës, tha se rastet u detektuan pas testimeve të kryera nga Qendra Klinike Universitare e Sarajevës.

“Nuk kemi asnjë dyshim se Omicroni veçse ka qenë duke qarkulluar në Bosnje dhe se në muajt e ardhshëm do të shndërrohet në variant dominues”, tha Çerkez për agjencinë Reuters.

Bosnja nuk ka Ministri kombëtare të Shëndetësisë, por 13 qeveritë rajonale kanë ministritë përkatëse, të cilat kanë statistikat e tyre lidhur me pandeminë.

Sipas shifrave zyrtare, vetëm rreth 30 për qind e popullsisë së Bosnjës është vaksinuar kundër koronavirusit. Megjithatë, sipas Çerkezit, ky numër mund të jetë më i lartë, pasi sipas tij, në statistika nuk është marrë parasysh largimi i madh i qytetarëve nga Bosnja gjatë viteve të fundit.

XS
SM
MD
LG