Ndërlidhjet

Vazhdohet afati i konkursit për pranimin e policëve të rinj në veri


Pjesëtarë të Policisë së Kosovës duke patrulluar në Mitrovicën e Veriut. Foto nga arkivi.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës duke patrulluar në Mitrovicën e Veriut. Foto nga arkivi.

Policia e Kosovës e ka vazhduar afatin e konkursit për punësimin e pjesëtarëve të rinj nga komunitetet joshumicë, për të plotësuar pozitat e lira në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut.

Konkursi, që fillimisht është shpallur nga 5 deri më 26 janar, do të shtyhet deri më 10 shkurt, ka konfirmuar Policia e Kosovës për Radion Evropa e Lirë.

Mirëpo, ky institucion nuk ka ofruar hollësi se sa aplikacione ka pranuar deri më tani, nëse ka aplikuar dikush nga radhët e komunitetit serb, apo ish-policët nga veriu i Kosovës që kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, në nëntor të vitit të kaluar.

Policia ka thënë shkurtimisht se kriteret për punësimin e punonjësve të rinj të policisë mbeten të njëjta dhe se publiku do të informohet me kohë për hapat e mëtejshëm.

“Policia e Kosovës, përmes video-mesazheve, fushatave sensibilizuese dhe takimeve zyrtare që po mbahen në të gjitha rajonet, çdo herë ka inkurajuar dhe vazhdon t’i inkurajojë, dhe fton qytetarët e të gjitha komuniteteve pakicë që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës”, është thënë mes tjerash në përgjigjen e Policisë.

Qeveria e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë, më 12 janar, se konkursi për rekrutimin e policëve të rinj është i hapur për të gjithë ata që plotësojnë kriteret dhe se Kosova nuk dëshiron të përjashtojë askënd nga institucionet apo të "zëvendësojë serbët me shqiptarë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar pjesëtarët e komunitetit serb, veçanërisht ata që nuk kanë punuar asnjëherë në institucionet e Kosovës, të aplikojnë në konkurs.

Ky konkurs është shpallur pas dorëheqjes së rreth 550 serbëve nga pozitat e tyre në veri të Kosovës, në nëntor të vitit 2022, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Megjithatë, në konkurs nuk përmendet numri i policëve të rinj që do të punësohen.

Cilat janë kushtet e konkursit?

Tash për tash nuk dihet nëse policët serbë nga veriu do të kthehen në vendet e tyre të punës që kanë lënë, e as nëse do të mund të aplikojnë në konkurs.

Një nga kushtet e konkursit, megjithatë, është që të interesuarit të mos jenë mbi 30 vjeç.

Pjesëtarët e komunitetit serb në veri janë integruar në Policinë e Kosovës në bazë të Marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, të vitit 2013, dhe shumica prej tyre tani janë mbi 30 vjeç.

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) ka deklaruar më 31 dhjetor të vitit të kaluar se, për shkak të dorëheqjeve në veri, ka vakum të sigurisë, duke kërkuar që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës.

XS
SM
MD
LG