Ndërlidhjet

Meksika fajëson krizën kufitare në SHBA për vdekjen e emigrantëve


Presidenti i Meksikës tha se "varfëria dhe dëshpërimi" çuan në vdekjen e të paktën 50 emigrantëve të braktisur në një kamion të Teksasit.
Presidenti i Meksikës tha se "varfëria dhe dëshpërimi" çuan në vdekjen e të paktën 50 emigrantëve të braktisur në një kamion të Teksasit.

Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador fajësoi trafikimin dhe "mungesën e kontrollit" në kufi për vdekjen e të paktën 50 emigrantëve të braktisur në një kamion në Teksasit. Ai e quajti ngjarjen një "tragjedi të jashtëzakonshme" dhe tha se Meksika do të punonte për të riatdhesuar eshtrat e qytetarëve të saj.

“Kjo dhe vdekje të tjera të emigrantëve vijnë për shkak të "varfërisë dhe dëshpërimit të vëllezërve tanë të Amerikës Qendrore dhe meksikanëve," tha ai, duke shtuar: "Kjo ndodh sepse ka trafikim njerëzish dhe mungesë kontrolli, në këtë rast në kufirin mes Meksikës dhe SHBA-së”.

Autoritetet po punojnë për të konfirmuar kombësinë e viktimave të mbetura. Sipas autoriteteve amerikane, tre persona "që besohet se ishin pjesë e komplotit të kontrabandës" janë arrestuar.

Ministri i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard, tha se Meksika i është bashkuar hetimit dhe po dërgon një ekip në Teksas për të ndihmuar me hetimin. Emigrantët u gjetën në periferi të qytetit të San Antonio, i cili është 250 km larg nga kufiri SHBA-Meksikë, dhe është një rrugë kryesore tranziti për kontrabandistët e njerëzve.

Trafikantët e qenieve njerëzore shpesh përdorin kamionë për të transportuar emigrantë pa dokumente pasi i takojnë ata në zona të largëta teksa kanë arritur të kalojnë në Shtetet e Bashkuara.

"Ata kishin familje... dhe me gjasë po përpiqeshin të gjenin një jetë më të mirë," tha kryebashkiaku i San Antonio, Ron Nirenberg. "Nuk është asgjë më pak se një tragjedi e tmerrshme njerëzore."

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbot, ka fajësuar presidentin amerikan Joe Biden për vdekjet, duke e përshkruar situatën si “rezultat të politikave të tij vdekjeprurëse për kufij të hapur”.

XS
SM
MD
LG