Ndërlidhjet

Vdes i dyshuari për sulmin me armë në Krakov, ku u vranë gjashtë persona

Lule dhe qirinj në kujtim të gjashtë viktimave të sulmit me armë në Krakov, Poloni, më 9 nëntor 2026.
Lule dhe qirinj në kujtim të gjashtë viktimave të sulmit me armë në Krakov, Poloni, më 9 nëntor 2026.

Një 24-vjeçar, i dyshuar për vrasjen e gjashtë personave në qendër të Krakovit, në Poloni, si dhe të tre anëtarëve të familjes së tij, ka vdekur në spital, njoftoi policia polake të hënën, më 9 nëntor.

I dyshuari ishte plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, pasi kishte hapur zjarr ndaj njerëzve në sheshin kryesor të qytetit, më 7 nëntor.

Sipas autoriteteve, policët e armatosur ndërhynë menjëherë dhe e qëlluan sulmuesin brenda tre minutash nga fillimi i sulmit, duke parandaluar, sipas tyre, një tragjedi edhe më të madhe.

Gjashtë persona, katër gra dhe dy burra, u vranë në sulmin që ndodhi pak para orës 15:00 në sheshin kryesor të Krakovit - një nga zonat më të frekuentuara të qytetit.

Katër viktima ishin shtetas polakë, ndërsa dy të tjerat ishin një shtetas britanik dhe një grua austriake.

Pas sulmit, policia kontrolloi shtëpinë e të dyshuarit, ku gjeti trupat e pajetë të tre personave.

Viktimat u identifikuan më vonë si babai 53-vjeçar, nëna 52-vjeçare dhe motra 21-vjeçare e sulmuesit.

Autoritetet nuk e kanë bërë publik identitetin e 24-vjeçarit.

Krakov, 8 nëntor 2026.
Krakov, 8 nëntor 2026.

Hetimet paraprake sugjerojnë se ai mund të jetë frymëzuar nga ideologjitë e ekstremit të djathtë. Një ministër polak e përshkroi atë si “ultranacionalist”, pa dhënë hollësi të tjera.

Mediat polake raportuan se i dyshuari kishte leje për armëmbajtje dhe se armët mund t’i kishte marrë nga shtëpia e familjes.

Gjithsej 16 persona, përfshirë pesë shtetas të huaj, dy policë dhe vetë sulmuesin, u dërguan në spital.

Sipas Ministrisë së Brendshme polake, në mesin e të plagosurve kishte shtetas nga Austria, Britania, Gjermania, Portugalia dhe Rusia.

Dy policët e plagosur rëndë dolën nga koma të dielën, sipas raportimeve.

Dy kirurgë, të cilët po hanin në një lokal pranë sheshit kur filloi sulmi, nxituan për t'u dhënë ndihmën e parë të plagosurve.

Njëri prej tyre, profesori Michal Pedziwiatr, tha për BBC-në se kishin vendosur të ndërhynin menjëherë, pasi ambulancat ende nuk kishin mbërritur.

Sipas tij, kolegu i tij arriti t'ia ndalte gjakderdhjen njërit prej policëve të plagosur rëndë, duke i shpëtuar jetën.

Dëshmitarët përshkruan skena paniku, ndërsa njerëzit vraponin për t’u strehuar nga të shtënat.

Një turiste nga Londra, Ruby Catherine Warren, tha se kishte dëgjuar të shtëna dhe u kishte bërtitur miqve të saj të vraponin për të shpëtuar.

Një tjetër dëshmitar britanik, Tom Brook, tha se ndodhej në një restorant pranë sheshit kur dëgjoi disa të shtëna dhe pa njerëzit duke kërkuar strehim.

Pas sulmit, autoritetet polake shpallën dy ditë zie kombëtare.

Kryeministri polak, Donald Tusk, i cili vizitoi Krakovin, e cilësoi ngjarjen si “akt terrorizmi”.

“Deri më tani, në Poloni nuk kemi pasur raste kaq të rënda terrorizmi. Kështu duhet ta quajmë këtë sulm mizor ndaj jetëve të njerëzve këtu në Krakov”, tha Tusk.

Edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, shprehu tronditjen e tij për sulmin, duke thënë se Kosova qëndron në solidaritet me popullin polak.

Sheshi kryesor i Krakovit u rihap të dielën në mbrëmje, pasi autoritetet hoqën perimetrin e sigurisë, të vendosur pas sulmit.

​
XS
SM
MD
LG