Ndërlidhjet

Tornado në SHBA, së paku 11 të vdekur


Një tornado kishte shkaktuar dëme të mëdha në Misisipi të SHBA-së, më 24 mars 2023.
Një tornado kishte shkaktuar dëme të mëdha në Misisipi të SHBA-së, më 24 mars 2023.

Një numër tornadosh goditën SHBA-në duke lënë të paktën 11 persona të vdekur dhe dhjetëra të plagosur. Kjo stuhi bëri që të shkatërroheshin shtëpi dhe qendra tregtare në Arkansas, u shemb një çati teatri në Illinoi dhe shkaktoi dëme të shumta edhe në Indiana.

Rreth 260 persona ishin brenda teatrit Apollo në Illinoi, kur çatia u rrëzua në orën 19:55 sipas kohës lokale, tha departamenti lokal i zjarrfikësve, dhe la të vdekur një person.

Shefi i zjarrfikësve, Shaën Schadle, u tha gazetarëve se 28 persona u dërguan në spital, ndërsa pesë prej tyre ishin në gjendje të rëndë.

Një seri tornadosh të fuqishme u regjistruan në disa shtete amerikane të premten, duke lënë të vrarë të paktën 11 persona në SHBA.

Dëme të shumta u raportuan në pjesën e jugut dhe të perëndimit. Shtetet e Arkansasit dhe Misurit shpallën gjendje të jashtëzakonshme. Dhjetëra mijëra njerëz mbetën pa energji elektrike.

Një tornado e madhe e goditi kryeqytetin e shtetit të Arkansasit, Little Rock, duke rrokullisur makina, thyer çati dhe rrëzuar pemë. Të paktën 24 persona u plagosën, sipas kryebashkiakut të qytetit.

Guvernatorja e shtetit, Sarah Huckabee Sanders, konfirmoi vdekjen e dy personave në qytetin Wynne, rreth 170 kilometra larg kryeqytetit.

Më shumë se 40 tornado u raportuan në gjashtë shtete të premten mbrëma, sipas Qendrës amerikane të Parashikimit të Stuhive.

Disa fluturime në Aeroportin Ndërkombëtar të Çikagos O'Hare u shtynë ose u anuluan pasi pasagjerët u këshilluan të strehoheshin diku shkaku i motit të “rëndë”.

Ky grumbull i tornadove vdekjeprurëse vjen vetëm një javë pasi një tornado në Misisipi vrau 26 njerëz.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e vizitoi Misisipin të premten për të shprehur ngushëllimet e tij dhe për të premtuar ndihmë federale.

XS
SM
MD
LG