Qindra njerëz në Venezuelë kanë ngecur nën rrënoja dhe shumë të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur të enjten, pasi dy tërmete të fuqishme shkatërruan zona në dhe rreth kryeqytetit, Karakas, duke vrarë qindra njerëz, duke dëmtuar ndërtesa dhe duke lënë mijëra njerëz pa strehë.
Një tërmet 7.2 ballësh goditi të mërkurën në mbrëmje, i ndjekur më pak se një minutë më vonë nga një tërmet tjetër 7.5 ballësh, më i fuqishmi që nga viti 1900, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS).
Ministri i Shëndetësisë, Carlos Alvarado, tha vonë të enjten se numri i të vdekurve është rritur në 235.
Jorge Rodriguez, kreu i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës dhe vëllai i presidentes në detyrë, Delcy Rodriguez, tha më herët gjatë ditës se rreth 200 njerëz kanë mbetur të bllokuar, ndërsa 250 ndërtesa janë dëmtuar ose shkatërruar.
Të paktën tetë spitale, selia e Kryqit të Kuq Venezuelas dhe Ambasada franceze janë ndër ndërtesat që u thuhet se kanë pësuar dëme të mëdha.
Ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, tha se rreth 70.000 familje në shtetin La Guaira janë prekur nga tërmeti.
La Guaira, shteti bregdetar ngjitur me Karakasin dhe vendndodhja e aeroportit kryesor të kryeqytetit, është ndër zonat më të goditura.
"Është shndërruar në një zonë katastrofe", tha presidentja në detyrë Rodriguez, duke shtuar se Qeveria po bashkëpunon me kompani private për të sjellë pajisje të rënda dhe për të përshpejtuar operacionet e shpëtimit.
Energjia elektrike është e kufizuar në disa pjesë të shtetit, ndërsa aeroporti i Karakasit është mbyllur për shkak të dëmtime të pësuara.
Punonjësit e emergjencës dhe vullnetarët kërkuan për njerëz të ngecur gjatë gjithë natës në ndërtesat e shembura. Megjithatë, në disa pjesë të vendit banorët thanë se ndihma zyrtare ishte vonuar.
Yamileth Jimenez, banore e qytetit La Guaira, tha se djali i saj 19-vjeçar vazhdon të jetë i bllokuar nën rrënojat e pallatit shtatëkatësh ku banonin.
"Ai ndodhet nën pllakat e betonit dhe nuk ka makineri për ta nxjerrë jashtë", tha Jimenez, babai i së cilës kishte ndërruar jetë vetëm tre ditë më parë.
Në qytetin La Guaira, vullnetarët gërmonin mes rrënojave me duart e tyre, ndërsa familjet prisnin lajme për të afërmit e zhdukur. Përgjatë autostradës Karakas–La Guaira, grupe qytetarësh lëviznin drejt bregdetit duke bartur me vete ujë, ushqime dhe ilaçe.
"Humbëm gjithçka. Nuk kemi ushqim dhe as ilaçe... Shpresojmë që ndihma të arrijë sa më shpejt", tha Pedro Perez, 64 vjeç, pronar i një punishteje tapicerie, i cili tregoi se ka humbur shtëpinë dhe biznesin, dhe se tani po flinte në rrugë së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët.
Vende nga e gjithë bota kanë premtuar mbështetje, madje edhe disa shtete që më parë kishin kundërshtuar Venezuelën, e cila prej dekadash ka vuajtur nga izolimi ndërkombëtar për shkak të shtypjes politike, kolapsit ekonomik dhe trysnisë diplomatike.
Rodriguez tha se ekipet ndërkombëtare të shpëtimit pritet të mbërrijnë së shpejti dhe falënderoi udhëheqës, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump, dhe presidentin rus, Vladimir Putin.
Uashingtoni ndërmori hapa për t’i lehtësuar sanksionet, duke autorizuar transaksione që lidhen me ndihmën për tërmetin, të cilat në rrethana normale do të ishin të ndaluara.
Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë "të gatshme, të vendosura dhe në gjendje për të ndihmuar".
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Uashingtoni do të dërgonte ekipe shpëtimi, ndërsa Pentagoni do të ndihmonte me logjistikën dhe me mbështetjen për aeroportin e dëmtuar të Karakasit.
Shefi i ndihmave humanitare i Kombeve të Bashkuara, Tom Fletcher, tha se organizata po i bashkërendon ekipet ndërkombëtare të shpëtimit dhe se do të nevojitet "një përpjekje e madhe e përbashkët" në një vend ku, edhe para tërmetit, 8 milionë njerëz kishin nevojë për ndihmë humanitare.
Misioni i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në Venezuelë i bëri thirrje Qeverisë të heqë kufizimet ndaj disa rrjeteve sociale, duke theksuar se lidhja me internetin është "çështje jete a vdekje".
Venezuela gjendet në një zonë që është e prirë të përballet me tërmete dhe lëkundjet më të mëdha të tokës në historinë moderne të Venezuelës ndodhën në verilindje të vendit në vitin 1997, kur u vranë 73 persona dhe në Karakas më 1967, kur 236 persona humbën jetën.