Ndërlidhjet

Dhjetëra persona të vdekur pas vërshimeve në Brazil


Pamje nga situata pas vërshimeve në Petropolis, Brazil.
Pamje nga situata pas vërshimeve në Petropolis, Brazil.

Gati 100 persona kanë vdekur si pasojë e rrëshqitjeve të dheut dhe vërshimeve në qytetin brazilian, Petropolis, kanë thënë zyrtarët.

Ky qytet, i cili gjendet afër maleve të Rio de Zhaneiros është goditur nga shira të rrëmbyeshëm.

Shtëpitë janë shkatërruar dhe veturat i ka marrë uji.

Ekipet e kërkim-shpëtimit janë duke gërmuar baltën për të gjetur ndonjë të mbijetuar.

Mbrojtja Civile Kombëtare e Brazilit ka thënë në Twitter se 24 persona janë shpëtuar të gjallë deri më tani, ndërsa 94 vdekje janë konfirmuar.

“Situata është gati si luftë. Makina të varura, makina të përmbysura, shumë baltë dhe ujë”, ka thënë guvernatori i Rio de Zhaneiros, Claudio Castro para gazetarëve.

Petropolis është destinacion i njohur për turistët.

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, i cili është në vizitë zyrtare në Rusi, ka thënë se do të organizojë ndihmë të menjëhershme për viktimat.

Kjo është një nga seritë e shirave të rrëmbyeshëm që kanë goditur Brazilin në tre muajt e fundit.

Shkencëtarët kanë thënë se kjo situatë po përkeqësohet nga ndryshimet klimatike.

XS
SM
MD
LG