Ndërlidhjet

Evakuime në Gjakovë për shkak të vërshimeve


Vërshimet në Komunën e Gjakovës. 17 shtator 2022.

Për shkak të vërshimeve, nëntë familje me së paku 80 anëtarë janë evakuuar në Gjakovë, thanë të shtunën nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent. Qeveria e Kosovës tha se për shkak të vërshimeve, niveli qendror është në gjendje gatishmërie për të ndihmuar qytetarët.

Familjet e evakuuar nga fshati Brekoc janë strehuar përkohësisht në një lokacion tjetër. Në këtë fshat, një lagje të banuar kryesisht me romë, është vërshuar tërësisht për shkak të rritjes së nivelit të Lumit Erenik bëri të ditur Nehat Koqinaj, zëdhënës i Agjencisë për Menaxhim Emergjent.

Duke iu referuar gjendjes në Gjakovë, Koqinaj tha se situata aktualisht është nën kontroll dhe Agjencia ka kërkuar mbështetje edhe nga niveli qendror për sanimin e situatës.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, paralajmëroi se priten rreshje të tjera shiu dhe tha se tani autoritetet janë përqendruar në "ndërhyrje urgjente".

Vërshimet në një lagje të banuar nga komuniteti rom në Gjakovë. 17 shtator 2022.
Vërshimet në një lagje të banuar nga komuniteti rom në Gjakovë. 17 shtator 2022.

Për shkak të reshjeve të shiut, që nisën në orët e para të 17 shtatorit, vërshime janë rapotuar edhe në Rahovec.

Autoritetet kanë bërë të ditur se nga vërshimet nuk ka dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, tha për Radion Evropa e Lirë se në Gjakovë dhe Rahovec ka disa shtëpi dhe makina të dëmtuara.

“Ka vërshime në qytetin e Gjakovës dhe në disa fshatra të Rahovecit. Deri më tani, janë angazhuar edhe zjarrfikësit dhe komunat respektive. Deri më tani nuk kemi ndonjë raport se dikush ka pësuar përveç dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, pra ka dëme në disa rrugë, automjete dhe në disa shtëpi, nëpër bodrume”, tha Elezaj.

Dëmet nga vërshimet në Gjakovë më 17 shtator 2022.
Dëmet nga vërshimet në Gjakovë më 17 shtator 2022.

Elezaj më vonë tha se kanë nisur pastrimin e disa rrugëve, duke shtuar se edhe një rrugë në Malishevë është bllokuar dhe e njëjta po pastrohet nga mbeturinat.

"Situata ka qenë pak më e rënduar në Gjakovë dhe Rahovec. Në Malishevë ka pasur vetëm një rrugë të bllokuar, tash veçse po bëhen përpjekjet që të pastrohet rruga nga mbeturinat. Ndërkaq, në Gjakovë përveç policisë dhe autoriteteve komunale, janë angazhuar edhe zjarrfikësit. Disa rrugë kanë qenë më të rënduara për shkak të mbledhjes së ujërave. Disa rrugë veçse janë pastruar. Rrugët nacionale nuk kanë qenë të bllokuara asnjëra", tha ai.

Ali Morina, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha për Radion Evropa e Lirë se një pjesë e madhe e fshatrave të kësaj komune janë prekur nga vërshimet.

“Aktualisht gjendja është e qetë, reshjet janë ndërprerë, mirëpo dëme ka të jashtëzakonshme. Jemi në terren duke e inspektuar gjendjen. Ka dëme në ekonomi familjare, dëme në bujqësi, në infrastrukturë publike, në të gjitha”, tha Morina për Radion Evropa e Lirë.

Një lagje e prekur nga vërshimet në Komunën e Gjakovës.
Një lagje e prekur nga vërshimet në Komunën e Gjakovës.

Qeveria e Kosovës tha se institucionet qendrore janë “në gjendje gatishmërie” që të ndihmojnë qytetarët e prekur nga vërshimet.

“Është ngritur niveli i gatishmërisë dhe nga Prishtina është nisur një njësi me pompa për tërheqje të ujit me kapacitet të madh”, u tha në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Po ashtu, u bë e ditur se Agjencia e Menaxhimit Emergjent – që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme – ka vënë në gatishmëri njësinë për kërkim-shpëtim, “por aktualisht nuk ka nevojë për një veprim të tillë”.

Ndërkaq, në rrjetet sociale janë publikuar fotografi nga rrugët e vërshuara të Gjakovës dhe Rahovecit, ku shihen edhe makina pothuajse të mbuluara nga uji.

I gjithë vendi të shtunën është përfshirë nga moti me shi dhe shkarkime rrufesh.

XS
SM
MD
LG