Ndërlidhjet

Betohen 337 rekrutë pas ndryshimit të mandatit të FSK-së


Pjesëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës
Pjesëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës

Në kazermën "Adem Jashari" në Prishtinë u betuan 337 rekrutët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Nga ky numër, 22 u përkasin komuniteteve jo shumicë të Kosovës: serbë, boshnjakë, turq dhe RAE (Rom, Ashkali dhe Egjiptianë).

"Diversiteti në radhët tona është një vlerë që ne e çmojmë çdo ditë", tha ministri i Mbrojtjes në dorëheqje i Kosovës, Rustem Berisha, në këtë ceremoni.

Të pranishmëve iu drejtua edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se rekrutët e rinj janë pjesë e ushtrisë më të re në botë.

"Ju jeni pjesë e një force mbrojtëse, e zhvilluar në partneritet me NATO-n", tha Veseli.

Veseli, gjithashtu, dha disa porosi për integritetin e Kosovës.

"Ushtria e Kosovës është sot një element i domosdoshëm i stabilitetit dhe paqes në rajon. Ne nuk kërcënojmë askënd dhe kurrë nuk e kemi bërë një gjë të tillë në histori. Por, ne nuk do të lejojmë që askush të rrezikojë lirinë tonë, dhe vendin tonë. Integriteti territorial dhe kufijtë e vendit tonë janë të shenjta, të paprekshme, sot dhe përgjithmonë", tha Veseli.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se të premten ka dekretuar strukturën e re komanduese të Forcës së Sigurisë së Kosovës, bazuar në pakon e re ligjore të kësaj Force. Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Thaçi ka thënë se “pas shndërrimit të FSK-së në një forcë ushtarake multietnike, profesionale dhe të armatosur, me këtë dekret është kompletuar dhe funksionalizuar struktura e re”.


Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore, për të ndryshuar mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Përgjegjësitë e reja të FSK-së kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, qytetarëve, pronave dhe interesave të Republikës së Kosovës, si dhe mbështetje ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG