Ndërlidhjet

Vetëvendosje dhe LDK nuk arrijnë marrëveshje, vazhdojnë negociatat


Përfundon pa marrëveshje takimi Kurti-Mustafa
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:00 0:00

Përfundon pa marrëveshje takimi Kurti-Mustafa

Ka përfunduar pa marrëveshje takimi ndërmjet liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ndonëse të dy partitë politike që po negociojnë rreth formimit të Qeverisë së ardhshme të Kosovës patën paralajmëruar marrëveshjen e koalicionit, pas takimit ndërmjet Kurtit e Mustafës, të dy thanë se u nevojitet edhe pak kohë që t’i harmonizojnë disa çështje për të cilat nuk janë marrë vesh.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është njëherësh edhe kandidati për kryeministër të Kosovës, tha pas takimit se ka përafrime, por ende ka dallime.

"Nuk jemi marrë vesh, mirëpo avancim në diskutimet që i kemi bërë ka. Atëherë kur do ta kemi marrëveshjen e plotë mund ta shpalosim atë gjerë e gjatë. Këtu përfundon takimi i sotëm e unë jam në kontakt të drejtpërdrejt me kryetarin e LDK-së që ta përcaktojmë takimin e radhës", tha Kurti.

Ndërkaq, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka tha se të hënën nuk është arritur marrëveshja për koalicion, por ka marrëveshje që negociatat të vazhdojnë.

“Patëm një bisedë mjaft përmbajtjesore sepse pa biseda të tilla është e vështirë të arrihet një bashkëpunim i ardhshëm i qëndrueshme katërvjeçar. Ne kemi pajtueshmëri sa i përket programit qeverisës dhe çështjet që janë harmonizuar deri tani ndërmjet grupeve tona punuese”, tha Mustafa.

“Kemi edhe çështje të tjera që sot i kemi biseduar me zotin Kurti për të cilat do të punojmë që të arrijmë një përafrim ose qëndrime të përbashkëta të cilat pastaj mund t'i ndihmojnë bërjes së koalicionit. Sot nuk ka marrëveshje për koalicione ka marrëveshje që të vazhdomë punën", tha Mustafa.

Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të dy liderët, Kurti e Mustafa nuk e patën përjashtuar mundësinë e arritjes së marrëveshjes qysh të hënën.

Ajo që është konfirmuar deri tani nga këto dy parti politike ka të bëjë me pajtimin e tyre rreth programit qeverisës dhe rreth numrit të ministrive të qeverisë së ardhshme. Sipas Vetëvendosjes dhe LDK-së, nga 21 ministri sa ka qeveria në largim, qeveria e ardhshme do t’i ketë vetëm 12 ministri.

Krahas kësaj, është raportuar se pesë ministri do i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje, pesë Lidhjes Demokratike të Kosovës, një minoritetit serb dhe një për minoritet tjera.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë ishin të parakohshme dhe pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit pasi që Gjykata Speciale e Kosovës për krime lufte me seli në Hagë, e kishte ftuar atë në intervistë në cilësinë e të dyshuarit.

Zgjedhjet e mbajtura e kanë nxjerrë Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese, duke u pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy parti politike, gjatë mandatit të kaluar ishin në opozitë, kurse tani po negociojnë rreth koalicionit qeverisës. Ndërkaq partitë që ishin në pushtet, pritet që në mandatin e institucioneve të reja që do të formohen, të kalojnë në opozitë.

XS
SM
MD
LG