Ndërlidhjet

Kurti dhe Haxhiu ia dorëzojnë Konjufcës dosjen për vettingun në drejtësi


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ia dorëzojnë dosjen e vettingut kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. 4 gusht 2022.

Dosja e vettingut në drejtësi i është dorëzuar sot kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Kështu thanë gjatë një konference të përbashkët për media më 4 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Pas një pune intensive, dhe pas konsultimeve me grupe parlamentare, sot po e dorëzojmë në Kuvendin e Kosovës dosjen e dokumenteve të vettingut, përfshirë draftin e amandamenteve kushtetuese për vettingun, projektligjin për vettingun, koncept-dokumentin për vetting dhe po ashtu dokumentin shpjegues lidhur me vettingun të hartuar nga Ministria e Drejtësisë”, tha Haxhiu.

Dosja e vettingut në drejtësi.
Dosja e vettingut në drejtësi.

Vettingu është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Sipas Haxhiut, dokumentet e dosjes janë "në përputhje të plotë më rekomandimet që kanë dalur nga Komisioni i Venecias”.

"Reforma në drejtësi mundëson që në sistem të mbeten vetëm ata që kanë integritet të lartë moral dhe profesional dhe që pasurinë e tyre mund ta justifikojnë", tha ajo.

Qeveria e Kosovës, më 13 tetor, kishte miratuar koncept-dokumentin për vettingun në drejtësi përmes së cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit.

Vettingu me ndryshime Kushtetuese kërkon dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës më herët kishin thënë se Kosovës i duhet vetting sistematik në drejtësi.

Ndërkaq Komisioni Evropian kishte kritikuar planin e Qeverisë së Kosovës për të bërë vetting “të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve”, duke thënë se ky do të ishte “burim serioz i shqetësimit”.

XS
SM
MD
LG