Ndërlidhjet

Osmani: BE-ja të jetë më e zëshme karshi tendencave destabilizuese serbe


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova dhe Serbia nuk mund të trajtohen njëjtë kur bëhet fjalë për përdorimin e retorikës luftënxitëse, teksa kërkoi që Bashkimi Evropian të reagojë ndaj "tendencave destabilizuese të Serbisë".

Ky reagim i Osmanit vjen një ditë pasi Bashkimi Evropian u bëri thirrje liderëve në Kosovë dhe Serbi t’i japin fund retorikës nxitëse pasi tha se “do t’i mbajë përgjegjës liderët politikë për çfarëdo përshkallëzimi të situatës në rajon”.

“Ne presim që Bashkimi Evropian të jetë më i zëshëm karshi tendencave destabilizuese të Serbisë ndaj gjithë rajonit, tendenca këto që janë të nxitura dhe i shërbejnë interesave të Rusisë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë ekuivalencë të trajtimit të palëve kur qartazi Serbia është agresori dhe është ajo që po përdor retorikë luftënxitëse në raport me Kosovën. Por, edhe veprime të cilat cenojnë paqen dhe stabilitetin ndaj Kosovës”, tha Osmani gjatë një konference për media në Prishtinë me homologun e saj shqiptar, Bajram Begaj.

BE-ja shprehu shqetësimin e saj më 14 gusht, teksa zyrtarët në Serbi dhe Kosovë kanë shkëmbyer akuza për rritjen e tensioneve. Përderisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ka pasur rrezik që tensionet e fundit në veri të përshkallëzoheshin në konflikt të armatosur, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka informacione se Prishtina po përgatitet të "likuidojë" serbët në veri.

Osmani po ashtu foli për deklaratën e BE-së edhe gjatë një prononcimi për gazetarë, pas konferencës me Begajn. Ajo tha se kërkojnë nga blloku evropian që "trajtimi që ata e quajnë neutral mos të jetë trajtim i njëanshëm që favorizon një shtet që ka tendenca territoriale, por edhe destabilizuese jo vetëm në raport me Kosovën, por me shtetet e tjera të rajonit".

Duke folur për takimin midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që do të mbahet në Bruksel më 18 gusht, Osmani tha se Kosova ka vetëm një agjendë: "përqendrimin në njohjen reciproke"

"Çka presim nga Serbia, është natyrisht që ta shfrytëzojnë këtë pjesëmarrje në dialog për të bërë obstruksione, siç kanë bërë gjithnjë. Nënshkruajnë marrëveshje dhe nuk i zbatojnë. Ta zëmë, për vitin 2013 flitet gjithandej për Asociacionin, por bazamenti i asaj marrëveshjeje ka qenë garantimi nga ana e Serbisë që do të shpërbëjë strukturat ilegale. Gati dhjetë vjet pas nënshkrimit të asaj marrëveshjeje, lëre që Serbia nuk e ka zbatuar atë obligim, por vazhdon t’i armatosë ato struktura ilegale në mënyrë që të rrezikojë sigurinë dhe integritetit territorial të Kosovës", tha Osmani.

Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë konferencës për media me Osmanin, tha se Kosova shprehu maturi në tensionet e fundit në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht, kur serbët lokalë bllokuan rrugët për të shprehur kundërshtimin e tyre për vendimet e Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Presidenti shqiptar tha se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, midis Kosovës dhe Serbisë, është mënyra e vetme për, siç tha ai, t’ia bërë të qartë Serbisë se “realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm”.

“Formula e zgjidhjes së dialogut Kosovë-Serbi e shprehur nga presidenti [i Shteteve të Bashkuara, Joe] Biden, si marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve e fokusuar në njohje reciproke. Apo qëndrimi i përsëritur i kancelarit [gjerman, Olaf] Scholz se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE, janë inkurajuese në përpjekjet tona që rezultati përfundimtar të jetë një: marrëveshje e detyrueshme ligjore që përcakton saktësisht njohjen e ndërsjellë, anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, si dhe trajtimin e drejtë të minoriteteve sipas Kushtetutës së Kosovës”, tha Begaj.

Presidenti i Shqipërisë po ashtu shprehur mbështetjen e shtetit të tij për anëtasëimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, sikurse BE-ja dhe NATO-ja, por po ashtu tha se Tirana do të punojë që liberalizimi i Kosovës të ndodhë shpejt.

Begaj u zgjodh president i Shqipërisë më 4 qershor, ndërkaq bëri betimin më 24 korrik. Presidentët shqiptarë tradicionalisht vizitën e parë jashtë shtetit e realizojnë në Kosovë, një traditë që është ndjekur edhe nga pala kosovare.

XS
SM
MD
LG