Ndërlidhjet

Osmani: Serbia, burimi kryesor i destabilizimit në rajon


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se dy sulmet e së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, dëshmojnë se Serbia është “burimi kryesor i destabilizimit në rajon”.

Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos injorojë, atë që ajo e cilësoi si tendencë të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit dhe më gjerë.

“Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë - tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si bashkim e sistem vlerash. Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdorë në shtetet baltike, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuqiqit në realizimin e synimit të tij për krijimin e ‘botës serbe’, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi”, shkroi Osmani në rrjetin social Faceebook.

Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Këto incidente vijnë teksa për të gjashtën ditë me radhë janë të bllokuara rrugët që lidhin Kosovën dhe Serbinë, në afërsi të pikës kufitare Bërnjak dhe Jarinje. Qytetarët serbë atje po kundërshtojnë vendimin e 20 shtatorit të Qeverisë së Kosovës, për vendosjen e masës së reciprocitetit për targat nga Serbia.

XS
SM
MD
LG