Ndërlidhjet

Putin sugjeron “ndryshimin e rrugëve” për eksportet ukrainase


Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë fjalimit në një forum ekonomik në Vladivostok të Rusisë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë fjalimit në një forum ekonomik në Vladivostok të Rusisë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kritikuar procesin e eksporteve të drithërave nga Ukraina.

Këto eksporte po kryhet nën marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara. Putin tha se kjo marrëveshje po dështon që të dërgojë produktet te shtetet e varfra, siç ka qenë qëllimi, duke paralajmëruar se kriza aktuale ushqimore mund të shndërrohet në “katastrofë humanitare”.

Deklaratat e Putinit rrisin dyshimet lidhur me fatin e marrëveshjes të ndërmjetësuar gjashtë javë më parë nga OKB-ja dhe Turqia, përmes së cilës synohet që të eksportohen miliona tonë me drithëra nga portet ukrainase.

Duke folur në një forum ekonomik në Vladivostok më 7 shtator, Putin sugjeroi se Moska “do të duhet të mendojë për ndryshimin e rrugëve” për dërgesat e drithërave ukrainase.

Ai tha se Rusia ka bërë gjithçka që ka mundur që të sigurohet se Ukraina mund të eksportojë drithërat e saj.

I pyetur nga Reuters nëse Moska dëshiron të ndryshojë marrëveshjen për eksportin e drithërave, ministri ukrainas i Agrikulturës, Mykola Solskiy, tha pas deklaratave të Putinit se “nuk kemi parë asnjë ndryshim sa i përket anës sonë”.

Çmimet e ushqimit dhe energjisë janë rritur qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

“Pothuajse të gjitha drithërat e eksportuara nga Ukraina nuk po dërgohen në shtetet e varfra, por në shtetet e Bashkimit Evropian”, tha Putin pa dhënë asnjë dëshmi.

Ai po ashtu tha se “me këtë qasje, shkalla e problemeve me ushqim në botë vetëm do të rritet” dhe paralajmëroi për një “katastrofë humanitare”.

Pas nisjes së pushtimit rus, portet ukrainase në jug u bllokuan. Por, në korrik, me ndërmjetësimin e OKB-së dhe Turqisë, palët arritën marrëveshje për zhbllokimin e eksporteve.

Në fund të gushtit, Ukraina tha se ka eksportuar mbi 1 milion ton produkte bujqësore përmes porteve detare.

Ankesë për moszbatim të plotë të marrëveshje kishte më 6 shtator edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i cili tha se Perëndimi nuk po e respekton premtimin që të ndihmojë që ushqimet ruse të arrijnë në tregjet ndërkombëtare.

Ukraina dhe Rusia janë ndër eksportuesit më të mëdhenj në botë të drithërave.

XS
SM
MD
LG