Ndërlidhjet

Zelensky: Luftimet në Donbas, më të vështirat


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Fotografi nga arkivi.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Fotografi nga arkivi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vizitoi të martën frontet e luftës në afërsi të Sllovijanskut, në rajonin e Donjeckut, në lindje të Ukrainës.

Ai tha se luftimet në këtë zonë janë “të vështira”, pasi forcat ruse po tentojnë të marrin qytetin industrial të Bahmutit.

Vizita e Zelenskyt vjen në kohën kur presidenti rus, Vladimir Putin, mblodhi këshillin e tij të sigurisë, pas disa sulmeve me dronë në ndërtesat ushtarake brenda territorit të Rusisë.

Luftimet në Ukrainë janë përqendruar në Donbas, pasi muajin e kaluar forcat e Kievit rimorën kontrollin e qytetit të Hersonit. Rimarrja e Hersonit pasoi tërheqjen e forcave ruse nga ky qytet.

Zelensky u shfaq në një video, duke kërkuar që të mbahej një minutë heshtje për të nderuar ushtarët e vrarë ukrainas.

“Sot, lindja e Ukrainës është fronti më i vështirë. Unë jam i nderuar të jem këtu me trupat tona mbrojtëse në Donbas. Besoj se herën tjetër kur të takohemi, do të takohemi në Donjeckun, Luhanskun dhe Krimenë e Ukrainës”, tha Zelensky.

Forcat ruse dhe separatistët pro-rusë kanë kontrolluar pjesë të Donjeckut dhe Luhanskut që nga viti 2014, kur nisën luftimet mes separatistëve dhe forcave ukrainase, pas aneksimit rus të Krimesë.

Zelensky ka vizituar disa fronte në rajone të ndryshme, që kur nisi pushtimi rus i Ukrainës nëntë muaj më parë. Gjatë qëndrimit në Herson, që gjendet në jug të shtetit, ai deklaroi se rimarrja e këtij qyteti ishte “fillimi i fundit të luftës”.

Por, në kohën kur Zelensky po qëndronte në Donbas – që përbëhet nga Donjecku dhe Luhansku – në Kremlin, Putin u takua me zyrtarët e lartë për të diskutuar për “sigurinë e brendshme”. Ai tha se Rusia duhet të ndërmarrë masa “të nevojshme” për t’u mbrojtur nga ato që ai i cilësoi si sulme ukrainase.

Zyrtarët në rajonin Kursk të Rusisë – që gjendet pranë kufirit me Ukrainën – më herët gjatë 6 dhjetorit thanë se nga një sulm me dronë afër një baze ajrore, është shkaktuar zjarr në një depo të naftës.

Një ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se Ukraina kishte tentuar të sulmonte një bazë ajrore në rajonin Riazan dhe një në rajonin Saratov.

XS
SM
MD
LG