Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë të enjten në Prishtinë se pavarësia e gjykatës në Hagë duhet të garantohet dhe aktgjykimi dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) duhet të respektohet plotësisht, duke ngulur këmbë njëkohësisht se “askush dhe asgjë” nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës.
“Aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ka shkaktuar emocione të fuqishme, e çmoj reagimin tuaj të matur dhe të liderëve politikë që bëjnë thirrje për qetësi”, tha von der Leyen në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë.
Dënimi i ish-presidentit Hashim Thaçi me 25 vjet burgim, i ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, me 25, i ish-kryetarit tjetër të Kuvendit, Kadri Veseli, me 18, dhe i ish-deputetit Rexhep Selimi me 13, është kundërshtuar gjerësisht në Kosovë.
Që të katërtit udhëhoqën luftën e UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe në vitet 1998-1999, dhe shihen si heronj nga shqiptarët e Kosovës.
Von der Leyen, në vizitën e saj të gjashtë në Kosovë, tha se “ky aktgjykim u dha nga institucione të pavarura gjyqësore dhe mandati i tyre duhet të respektohet plotësisht”.
“Por një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të të pandehurve; rezistenca e Kosovës nuk ishte në gjykim dhe ne duhet të nderojmë kujtimin e të gjitha viktimave nga të gjitha komunitetet”, shtoi ajo.
Von der Leyen u prit me protesta më të mbërritur në aeroportin e Prishtinës, ku një grup të rinjsh mbajtën pankarta kundër vendimit të Dhomave të Specializuara.
Në Kosovë është protestuar vazhdimisht që nga shqiptimi i aktgjykimi pasi shumë shqiptarë ndiejnë se gjykata e cilësoi UÇK-në si një organizatë të përbashkët kriminale, megjithëse vetë kryetari i trupit gjykues nguli këmbë disa herë në aktgjykimit se lufta e UÇK-së për liri nuk u gjykua.
Kurti, duke folur përkrah shefes së Komisionit Evropian, nënvizoi se gjykata e tha qartë se UÇK-ja nuk ishte në gjyq dhe se vendimi i tyre në asnjë mënyrë nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare.
Prandaj, tha ai, kjo duhet të theksohet më shumë ndërkombëtarisht.
Kurti, megjithatë, shprehu shqetësime për përfundimet e tjera dhe ato që i cilësoi si dënime të rënda, duke thënë se pret që ato të korrigjohen në apel.
“Besojmë se ato përmbajnë gabime faktike, historike dhe juridike, dhe presim që këto të korrigjohen në apel. Drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe duhet të shihet e përjetohet si e paanshme”, shtoi Kurti.
Ndërkohë, von der Leyen u pyet edhe për nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kosovë.
Ajo tha se i takon vetë Kosovës të vendosë, por paralajmëroi se “është me rëndësi që të garantohet pavarësia e gjyqësorit”.
Kjo nismë, e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), është duke u shqyrtuar nga zyra ligjore e kryeministrit Kurti.
Në dokumentin e ndryshimeve të propozuara, kërkohet ndër të tjera, që dënimet më të larta që mund të shqiptohen të jenë 15 vjet burgim dhe që të dënuarit të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Ekspertë ligjorë që folën më herët me Radion Evropa e Lirë, e kanë quajtur këtë iniciativë vështirë të arritshme dhe kanë ngritur pikëpyetje për ndikimin real që mund të ketë ndryshimi.
Shpresat e Kosovës për anëtarësim në bllok
Përgjatë kësaj konference, kryeministri Kurti nguli këmbë se Kosova e “meriton” ta fitojë statusin e vendit kandidat në rrugën e saj për t’u bërë pjesë bllokut prej 27-anëtarësh.
“Natyrisht, sfida ka gjithmonë dhe në këtë botë të re nuk mungojnë sfidat e reja. Por përparimi ynë është i qartë. Zonja presidente, llogarisim në mbështetjen tuaj që të flisni hapur për nevojën e Kosovës që t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe që t’i bëni thirrje Këshillit të kërkojë opinionin e Komisionit për aplikimin tonë”, tha Kurti.
Por von der Leyen tha se Kosova duhet t’i shndërrojë në përparim të qartë synimet e saj për anëtarësim.
“Unë besoj në të ardhmen e Kosovës në BE dhe e di se sa thellësisht ndihet evropian populli i Kosovës. Detyra jonë është që ta shndërrojmë këtë aspiratë në progres konkret drejt anëtarësimit”, tha ai.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ende nuk e gëzon statusin e vendit kandidat, ndërkohë që Shqipëria dhe Mali i Zi kanë shënuar përparim të madh dhe presin anëtarësimin para vitit 2030.
Kosova bëri kërkesë për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022.
Por kriza e thellë politike e viteve të fundit veçse ia ka vështirësuar rrugën Kosovës, pasi vendi ka qenë praktikisht pa qeveri me mandat të plotë për shumicën e asaj periudhe.
Ajo rrezikon zgjedhje të parakohshme sërish në fund të këtij viti, nëse deputetët nuk e zgjedhin një president të ri deri më 6 tetor. Këto do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare në dy vjet.
Ndërkohë, von der Leyen qëndroi në Kosovë të enjten si pjesë e turnit të saj në Ballkanin Perëndimor, dhe përveç takimit me Kurtin, bisedoi edhe me ushtrues e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiun.
Ajo erdhi në Kosovë pas vizitës në Shqipëri dhe pritet ta vazhdojë turneun në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë këtij turneu, ajo anashkaloi Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën për shkak të zgjedhjeve që këto dy vende do t’i mbajnë në këtë kohë.