Ndërlidhjet

Vrasja e kryetarit të Gdansk mund ta polarizojë edhe më shumë Poloninë


Kryetari i qytetit polak, Gdansk, Pawel Adamowicz, i cili u ther për vdekje

Polonia është në shok pas vdekjes së kryetarit të qytetit Gdansk, Pawel Adamowicz, i cili nuk u mbijetoi plagëve të marra pas një sulmi me thikë të dielën gjatë një koncerti bamirësie.

Përtej shprehjes së emocioneve është e vështirë të shmanget kjo ngjarje nga kontesti i përplasjeve politike dhe ideologjike që kanë përfshirë vendin në vitet e fundit.

Informacionet ende nuk janë të plota për arsyen pse një kryetar aq i popullarizuar u sulmua për vdekje.

Adamowicz, 53-vjeçar, kishte udhëhequr Gdanskin, djepin e lëvizjes së solidaritetit, në dy dekadat e fundit.

Bazuar në raportimet e mediave, sulmuesi i identifikuar si “Stefan W.” sapo është liruar nga burgu pasi kishte kryer një sërë plaçkitjesh të bankave. Ai kishte fajësuar partinë politike Platforma Qytetare, e cila mbështeste kryetarin Adamowicz, për keqtrajtimin e tij derisa mbahej i burgosur.

Sigurimi ndalon personin që sulmoi kryetarin Adamowicz gjatë një festivali në Gdansk/ 13 janar, 2019.
Sigurimi ndalon personin që sulmoi kryetarin Adamowicz gjatë një festivali në Gdansk/ 13 janar, 2019.

Përderisa do të duhet kohë për të vendosur nëse ky ishte një sulm politik ose thjeshtë një akt i çmendurisë, simbolika e kësaj ngjarje ka goditur shumë njerëz në Poloni pasi ekziston frika se kjo do t’i kontribuojë polarizimit të mëtejshëm të shoqërisë.

Adamowicz dhe organizata që e organizoi koncertin “Orkestra e Madhe e Bamirësisë së Krishtlindjeve” (WSOP siç njihet në Poloni), kanë qenë për kohë të gjatë në thumb nga ana e partisë për Ligj dhe Drejtësi, që qeverisë me vendin.

Thënë thjeshtë ata janë opozitë ideologjike.

Që nga ardhja në pushtet në vitin 2015, partia Ligji dhe Drejtësia, kanë mbajtur qëndrim në atë që thonë se janë vlera tradicionale konservatore, përfshirë skepticizmin ndaj Brukselit, një theks mbi familjen tradicionale, patriotizmin dhe një rol qendror për Kishën Katolike.

Adamowicz e gjeti veten shpesh nën sulmin e televizionit shtetëror polak për miratimin që i bëri një marshi të të drejtave të homoseksualëve dhe për minimizimin e kërcënimeve të supozuara nga emigrantët dhe sulmet islamike në tokën polake. Ai ishte një kritik i zëshëm i përpjekjeve të qeverive polake për të ndryshuar përbërjen e Gjykatës së Lartë. Agjenda e tij liberale ekonomike gjithashtu ishte në kontrast me programin më proteksionist dhe të përqendruar në ndihma sociale.

Familja e Adamowicz është e njohur për aktivizmin e saj politik në Gdansk, veçanërisht vëllai i tij, Piotr Adamowicz, një gazetar dhe shkrimtar i afërt me udhëheqjen e Platformës Civile të opozitës, e i cili gjithashtu ka punuar si këshilltar në Qendrën Evropiane të Solidaritetit.

WOSP, organizata më e madhe joqeveritare bamirëse në Poloni dhe veçanërisht kreu i saj, Jerzy Owsiak, përfaqëson në masë të madhe atë që partia Ligji dhe Drejtësia i kundërvihet. Owsiak, një liberal i vetëdeklaruar, motoja e të cilit është "bëni çfarë të doni", shpesh ka qenë i shënjestruar nga konservatorët polakë.

Megjithëse, partia Ligji dhe Drejtësia e kishte të vështirë të kritikojnë bamirësinë, e cila fokusohet në mbështetjen e spitaleve të fëmijëve, disa nga anëtarët e partisë pretenduan se Owsiak ka përdorur disa nga paratë e organizatës për të financuar një tjetër krijim të tij – festivalin vjetor “Poland Rock”.

Qarqet konservatore për kohë të gjatë e kanë ndërlidhur këtë festival me degjenerimin e vlerave morale.

Derisa krerët e partisë Ligji dhe Drejtësia, si kryeministri Mateusz Morawiecki dhe ministri i Brendshëm, Joachim Brudzinski e kanë dënuar ashpër sulmin fatal ndaj kryetarit të qytetit Gdans, Pawel Adamowicz – vrasjen e parë politike të nivelit të lartë në Poloni që nga rënia e komunizmit më 1989 - këto reagime do të shërbejnë shumë pak për të qetësuar tonet gjithnjë e më armiqësore të dy kampeve ideologjike në Poloni.

Dhe në një mënyrë apo tjetër, pas mbarimit të periudhës së zisë, vëzhguesit kanë frikë se ka gjasa që kjo ngjarje të shndërrohet në konsum politik, kur në muajin maj fillon fushata për zgjedhjet evropiane.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG