Një grua 80-vjeçare, e identifikuar me inicialet L.D, dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj, B.D., 81-vjeçar.
Prokuroria Themelore në Prizren e cilësoi rastin si vrasje të rëndë, që tha se ka ndodhur pas mesnatës rreth orës 01:30.
“Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i dyshuari, B.D., dyshohet se ka privuar nga jeta gruan e tij, duke ushtruar dhunë fizike, dhe se rasti ka ndodhur brenda familjes”, tha Prokuroria përmes një njoftimi për media.
Prokuroria njoftoi se B.D. është ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të kërkohet që ndaj tij të caktohet masa e paraburgimit.
Ky institucion tha se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës po vazhdon hetimet për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje.
Ndërkaq, në një njoftim paraprak, Policia tha se vrasja dyshohet të jetë kryer pa përdorur ndonjë armë.
“Dyshohet se lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës janë shkaktuar nga forca duarthatë, pa përdorim të ndonjë arme apo mjeti tjetër”, tha Policia e Kosovës.
Policia tha se sipas të dhënave të saj, çifti nuk ka pasur raste të mëhershme të dhunës së raportuar “dhe në momentin e incidentit kanë qenë vetëm në shtëpinë e tyre”.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, kërkoi hetim të plotë për ngjarjen në Prizren dhe atë në Malishevë dhe “dënimin më të ashpër të paraparë” për autorët e dyshuar.
“Institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin masa urgjente dhe konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe mbrojtjen e tyre”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) reagoi pas ngjarjes në Prizren duke argumentuar se dhuna ndaj grave nuk është " çështje private dhe as një varg 'rastesh familjare'".
"Ajo është dhunë e rrënjosur në pabarazinë gjinore dhe kërkon përgjigje të fuqishme institucionale. Jeta e grave nuk mund të mbrohet vetëm pasi të humbet", u tha në reagim, ku u kërkua nga institucionet që të ndëmarrin hapa konkretë për parandalimin e dhunës ndaj grave.
Ngjarja në Prizren vjen pasi më 24 gusht një grua shtatzënë në Malishevë u vra dhe i dyshuari është bashkëshorti i saj, i cili është në gjendje kritike, pasi edhe ai ka pësuar plagë nga arma e zjarrit.
Pas këtij rasti, nga RrGK-ja thanë për Radion Evropa e Lirë se këto raste të vrasjeve të grave po vënë në pikëpyetje efektivitetin e mekanizmave shtetërorë që janë ngritur me synimin që të mbrojnë viktimat e dhunës.
“Gratë po vriten dhe shteti ende nuk po arrin t’i mbrojë ato në mënyrë efektive. Për Rrjetin, këto nuk janë raste të izoluara apo tragjedi individuale. Ato janë tregues të dështimeve sistemike në parandalimin dhe trajtimin e dhunës ndaj grave”, thuhet në përgjigjen e RrGK-së për Radion Evropa e Lirë.
Pas vrasjes në Malishevë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, zhvilloi takim me përfaqësues të Policisë së Kosovës, Prokurorisë, Gjykatës dhe Qendrës për Punë Sociale, për të shqyrtuar funksionimin e mekanizmave institucionalë dhe masat që duhet të ndërmerren për parandalimin e rasteve të tilla.
“Parandalimi kërkon vigjilencë, përgjegjësi dhe bashkëpunim të plotë mes institucioneve. Secili duhet të jetë në nivelin e detyrës, të veprojë me kohë dhe të mos lejojë asnjë hallkë e sistemit të dështojë”, ka thënë Gërvalla thuhet në njoftimin më shkrim nga kjo ministri më 26 gusht.
Më 2020, Kosova e ka miratuar Konventën e Stambollit të hartuar nga Këshilli i Evropës, duke e bërë pjesë të Kushtetutës së vendit. Ky instrument obligues detyron shtetet që ta luftojnë dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje.
Në bazë të konventës, parashihet që shteti të mbrojë viktimat duke u ofruar strehimore, të ndjekë penalisht dhunën ndaj grave, të gjitha institucionet shtetërore të bashkëpunojnë dhe të ketë mekanizma që monitorojnë nëse konventa zbatohet.
Si mund ta raportoni dhunën në familje?
Nëse keni nevojë të raportoni dhunë në familje, këta janë numrat e vënë në dispozicion:
Policia e Kosovës: 192 dhe 0800 19 999
Mbrojtësit e Viktimave: 0800 11 112