Ndërlidhjet

Vritet një gazetar pakistanez në Lahore


Një zyrtar policor në Pakistan. Fotografi nga arkivi.
Një zyrtar policor në Pakistan. Fotografi nga arkivi.

Një gazetar pakistanez është vrarë teksa ka qenë duke vozitur me makinën e tij në qytetin lindor, Lahore, ka thënë policia.

Dy personat e armatosur në një motoçikletë kanë shtënë me armë zjarri kundër makinës së Husnain Shahut, para se të iknin nga skena e sulmit, ka thënë zyrtari policor, Safdar Raza Kazmi, duke shtuar se autoritetet janë duke hetuar ende për të kuptuar se kush e ka vrarë gazetarin.

Pas vrasjes, gazetarët e zemëruar kanë marshuar në Lahore, duke dënuar sulmin dhe duke kërkuar arrestimin e vrasësve.

Sindikata Federale e Gazetarëve të Pakistanit ka shpallur protestë mbarëkombëtare.

Shefi i ministrave në Punxhabi, Usman Buzdar, ka dënuar sulmin dhe ka kërkuar hetime.

Gazetarët në Pakistan kanë qenë tash e sa kohë subjekte të sulmeve të dhunshme.

Më 2020, Komiteti për Mbrojtje të Gazetarëve e ka renditur Pakistanin në vendin e nëntë në Indeksin Global të Mosndëshkueshmërisë.

Në këtë raport analizohen shtete ku gazetarët vriten rregullisht dhe sulmuesit mbesin të lirë.

XS
SM
MD
LG