Ndërlidhjet

Automjete të Policisë së Kosovës në një rrugë afër Banjskës, më 24 shtator 2023.
Automjete të Policisë së Kosovës në një rrugë afër Banjskës, më 24 shtator 2023.

Sulmi në veri: Një polic e tre sulmues të vrarë

  • Zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, është vrarë të dielën në veri të Kosovës.
  • Policia ka thënë se është sulmuar në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku janë plagosur edhe tre zyrtarë policorë.
  • Si pasojë e sulmeve të vazhdueshme, Policia ka konfirmuar vrasjen e tre sulmuesve dhe arrestimin e gjashtë personave të tjerë.
  • Autoritetet e Kosovës e kanë fajësuar Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar ka thënë se personat e armatosur kanë qenë serbë lokalë të Kosovës.
16:48 24.9.2023

Sarazin niset në Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, e ka dënuar ashpër “sulmin e tmerrshëm” ndaj Policisë së Kosovës.

Nga Berlini është konfirmuar se të dielën në Kosovë do të udhëtojë Manuel Sarazin, përfaqësuesi i Qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor.

“Grupet e armatosura të paligjshme duhet të ndalojnë së rrezikuari jetë. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka thënë mes tjerash ministria gjermane.

16:37 24.9.2023

Policia e Kosovës e konfirmon vrasjen e tre sulmuesve në veri

Policia e Kosovës e ka konfirmuar vrasjen e tre sulmuesve në Banjskë të Zveçanit dhe arrestimin e një sulmuesi tjetër.

Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se i ka arrestuar katër persona tjerë të dyshuar, të cilat janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armeve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme.

Në orët e para të së dielës, si pasojë e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, është vrarë një zyrtar i këtij institucioni dhe dy të tjerë janë plagosur.

Më vonë edhe një zyrtar tjetër policor ka pësuar lëndime të lehta.

Policia ka thënë se situata vazhdon të jetë e tensionuar dhe se ende ka të shtëna me armë zjarri në atë pjesë.

16:30 24.9.2023

Deputetja britanike: Sulmuesit në veri, milici e pajisur mirë

Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka thënë se Policia e Kosovës duhet ta garantojë sundimin e ligjit pa pasur kërcënime për dhunë, teksa e ka komentuar vrasjen e një zyrtari policor në orët e hershme të së dielës në Banjskë të Zveçanit.

“Situata nuk ka ende fund për shkak të këmbimeve të zjarrit në Manastirin e Banjskës. Pamjet fillestare sugjerojnë se sulmuesit janë milici e financuar dhe e pajisur mirë, përfshirë me pajisje të blinduara. Duhet të ketë llogaridhënie dhe ata duhet të përballen me drejtësinë. Të shpresojmë se nuk do ketë më të plagosur”, ka thënë ajo përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Deputetja Kearns pati thënë në fillim të muajit korrik se në veri të Kosovës “armët po kontrabandohen në autoambulanca dhe më pas po ruhen në objektet e kishave”.

Misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR, pati thënë atë periudhë se nuk është gjetur asnjë provë për pretendimet e deputetes britanike, ndërkaq autoritetet e Kosovës i patën nisur hetimet.

16:18 24.9.2023

Një grup prej mbi 30 personash të armatosur kanë hapur zjarr ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, në veri, në orët e hershme të së dielës, duke vrarë një polic, ndërsa të njëjtët persona, po ashtu, kanë hyrë me forcë në një manastir ortodoks serb aty pranë, kanë pohuar autoritetet e Kosovës, të cilët kanë akuzuar Serbinë për sulm terrorist.

Qeveria e Kosovës ka ndarë me mediat foto të bëra të dielën, ku shihen automjete pa targa, përfshirë autoblinda, si dhe persona të armatosur përreth manastirit në Banjskë. Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se manastiri është “burim i sulmeve me armë zjarri” në zonën përreth.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG