Ndërlidhjet

Lideri i Wagner-it pranon se po përballen me rezistencë në Bahmut


Kreu i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin. Fotografi nga arkivi.
Kreu i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin. Fotografi nga arkivi.

Kreu i grupit mercenar rus, Wagner, tha se forcat ruse duhet të marrin kontrollin e qytetit strategjik ukrainas të Bahmutit, në mënyrë që të vazhdojnë fushatën e tyre ushtarake, por ata përballen me rezistencë të fuqishme nga mbrojtësit ukrainas.

Yevgeny Prigozhin, gjatë një interviste, tha se Rusia ka vendosur qëllime të qarta në fushatën e saj ushtarake: me vendosmëri të vendoste praninë e saj në Ukrainën lindore ose të shtyjë përpara pushtimin e më shumë territoreve të shtetit.

Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, tetë vjet pasi aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe mori nën kontroll pjesë të mëdha në lindje të Ukrainës, dhe duke i njohur si “republika popullore” dy rajonet lindore të Luhanskut dhe Donjeckut.

Prigozhin, themelues i Wagner-it, ka marrë vëmendjen e publikut, teksa vazhdon pushtimi i Ukrainës. Ai gjatë kësaj kohe po ashtu ka kritikuar udhëheqjen ushtarake ruse dhe disa zyrtarë.

Mercenarët e Wagner-it kanë luajtur rol të madh, veçmas në muajt e fundit në marrjen e kontrollit të Soledarit, që gjendet në periferi të Bahmutit.

Luftimet e ashpra në Bahmut po vazhdojnë për muaj të tërë.

“Bahmuti duhet të merret në mënyrë që trupat tanë të mund të operojnë më rehat”, tha Prigozhin. “Ushtria ukrainase po dërgon atje shumë e më shumë njësi”.

“Është ende herët të thuhet se jemi afër që ta marrin. Trupat ukrainase janë të trajnuara mirë... dhe si çdo qytet i madh është i pamundur të merret menjëherë. Ne e kemi menaxhuar situatën shumë mirë. Fillimisht, ne qetësisht duhet të marrim Atijomovskin, dhe më pas mund të themi me zë se e kemi marrë nën kontroll”, tha Prigozhin duke iu referuar Bahmutit, duke përdorur emrin e epokës sovjetike për këtë qytet.

XS
SM
MD
LG