Ndërlidhjet

Clark: Kosova ka bërë përparim mbresëlënës drejt demokracisë


Gjenerali Wesley Clark - foto arkivi

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, tha se Kosova ka bërë “përparim mbresëlënës drejt demokracisë dhe lirisë”.

Clark po qëndron të mërkurën në Prishtinë, ku u prit me ceremoni shtetërore në Ministrinë e Mbrojtjes të Kosovës.

Ai ka qenë komandant i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, në kohën e ndërhyrjes në Republikën Federale të Jugosllavisë, në vitin 1999, me qëllim ndaljen e dhunës në Kosovë.

“Jam i nderuar të jem këtu, jam i lumtur të rikthehem në Kosovë, kjo është mundësia e parë që kam pasur për ta vizituar këtë ministri. Jam i impresionuar. Gjatë viteve kam parë përparimin e Kosovës, është një marsh mbresëlënës drejt demokracisë dhe lirisë dhe shpresoj edhe për rritjen e prosperitetit ekonomik për popullin e Kosovës”, tha gjenerali Clark.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, e quajti hero gjeneralin Clark dhe tha se për kontributin që ai ka dhënë për çlirimin e Kosovës, ka vendosur që Qendra e Studimeve Universitare e Forcës së Sigurisë së Kosovës të mbajë emrin Wesley Clark.

“Gjenerali Clark ka rolin kyç dhe vendimtar në çlirimin e Kosovës dhe lirinë tonë, lirinë e Kosovës”, tha Mehaj.

Ai tha se e ka informuar gjeneralin Clark për të arriturat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe për synimin e Kosovës në fushën e sigurisë, që, sipas tij, është integrimi në NATO dhe “dërgimi jashtë vendit (i ushtarëve) në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në botë”.

Clark, gjatë ditës, pritet të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë.

XS
SM
MD
LG