Ndërlidhjet

Wikoff thotë se s’i takon KFOR-it të vendosë për hapjen e urës mbi Ibër, por Kosovës dhe BE-së

Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Misioni i NATO-s në Kosovë nuk ka mandat për të vendosur nëse ura kryesore mbi lumin Ibër - që lidh Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut të banuar me shumicë serbe – duhet të hapet plotësisht, tha të martën admirali amerikan i aleancës, George Wikoff.

Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, tha se për këtë duhet të vendosë vetë Kosova dhe Bashkimi Evropian (BE), pasi KFOR-i ta përfundojë praninë e tij të përhershme në urë.

“Vendimet lidhur me praninë e KFOR-it në urën e Mitrovicës bazohen në vlerësimin që ne ia bëjmë gjendjes së sigurisë”, tha ai, sipas një komunikate të KFOR-it.

KFOR-i e përsëriti në komunikatë se është duke zhvilluar një proces për kufizimin e pranisë së trupave të saj mbi urën, e cila është e hapur vetëm për këmbësorë, por jo edhe për qarkullimin e automjeteve.

Vendimi i misionit paqeruajtës për kufizimin e pranisë dhe kalimin e përgjegjësive mbi urë tek Policia e Kosovës është kundërshtuar nga Serbia.

Ura mbi Ibër ishte bllokuar pas luftës së vitit 1999 dhe, ndër vite, ka qenë vatër e përplasjeve etnike.

Për këtë arsye, që atëherë misioni paqeruajtës e ka mbajtur nën mbikëqyrje urën.

Tani, NATO-ja thotë se tërheqja graduale e trupave nga ura është pjesë e procesit të optimizimit të pranisë të KFOR-it, pas përmirësimit të gjendjes së sigurisë në vend.

KFOR-i shtoi se do të vazhdojë ta vlerësojë rregullisht gjendjen në terren dhe të ruajë një pozicionim të hartuar për të kontribuar në sigurinë e qëndrueshme për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

Ai theksoi se personeli i saj do të vazhdojë të jetë i pranishëm në zonat përreth urës.

Ndërkohë, deklaratat e Wikoffit vijnë disa ditë pasi dështoi një takim i planifikuar mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutash.

Kurti e paralajmëroi takimin me komandantin Ulutash për të shtunën e kaluar. Por, më vonë atë ditë, KFOR-i njoftoi se “për shkak të rrethanave të paparashikuara”, takimi mes tyre nuk u zhvillua.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht viteve të fundit që ura të hapet plotësisht dhe Kurti tha ditë më parë se ishte "absurde" që ura kryesore mbi Ibër vazhdon të jetë e mbyllur.

Në anën tjetër, një zëdhënëse e Komisionit Evropian tha javën e kaluar se pret “koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës” për hapjen e urës.

“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, tha zëdhënësja.

Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar në korrik të vitit 2024 hapjen e urës kryesore mbi Ibër edhe për qarkullimin e automjeteve, një nismë që shkaktoi tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Ndërkohë ura nuk u hap plotësisht, autoritetet kosovare i ndërtuan edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore – një për këmbësorë dhe një për automjete – me synimin për të lidhur Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut.

Serbia i ka kundërshtuar planet e KFOR-it për kufizimin e pranisë mbi këtë urë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i është drejtuar me një letër shefit të NATO-s, Mark Rutte, duke i kërkuar që ky proces të ndalet.

“Sapo i dërgova një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kërkova që KFOR-i, në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, të ndalë terrorin ndaj serbëve, përndjekjen dhe arrestimet e tyre, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”, shkroi Vuçiq në Instagram më 20 gusht.

Sipas Vuçiqit, tërheqja e KFOR-it nga ura në këtë moment do të “krijonte kushte për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe” në veri të Kosovës.

Por, ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha e përpjekjet e Serbisë për ta paraqitur kufizimin e pranisë së KFOR-it si kërcënim për komunitetin serb apo si dëshmi se situata në Kosovë është e paqëndrueshme, nuk përputhen me realitetin në terren.

XS
SM
MD
LG