Ndërlidhjet

Sveçla: Rakiq dhe bandat kriminale kanë bllokuar qytetarët dhe policët në veri


Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Fotografi nga arkivi.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Fotografi nga arkivi.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka akuzuar kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, se së bashku me “bandat kriminale e të armatosura” po mirëmban barrikadat, që sipas tij, për 11 ditë rresht kanë bllokuar qytetarët dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla po ashtu është kundërpërgjigjur ndaj një deklarate të bërë nga Rakiqi më herët gjatë ditës, i cili akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po bën thirrje “për vrasjen” e serbëve që gjenden në barrikada.

“E vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet, ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim”, tha Sveçla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi për Guardian se i kanë dhënë kohë trupave të KFOR-it për të larguar barrikadat, por shtoi se barrikadat nuk do të lejohen që të qëndrojnë për një kohë të gjatë.

“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk përjashton mundësinë e viktimave. Prandaj, ne duam që të jemi shumë të kujdesshëm që të sigurohemi që të mos ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri”, tha Kurti.

Por, Rakiq e interpretoi këtë deklarim si “sugjerim për vrasjen e serbëve”.

“Deklarata e fundit e Albin Kurtit ka kaluar çdo masë. Kurti haptazi ka sugjeruar vrasjen e serbëve në barrikada, sepse sipas tij, barrikadat nuk mund të hiqen ndryshe”, tha Rakiq.

Ndërkaq, Sveçla tha se autoritetet po bëjnë përpjekje maksimale me partnerët për heqjen e barrikadave “pa asnjë eskalim të mundshëm, në ndërkohë këta [Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë] po i armatosin bandat brenda barrikadave”.

"Nuk ka kompromis me krimin. Kushdo që në cilëndo formë ka cenuar sigurinë e vendit tonë do të ballafaqohet me drejtësinë", tha Sveçla.

Lista Serbe: Sveçla kërcënoi Rakiqin

Lista Serbe reagoi pas deklaratave të Sveçlës, duke e akuzuar atë se ka “kërcënuar” kreun e kësaj partie.

“Pa asnjë dëshmi për akuzat e tij, ministri i [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit, që udhëheq njësitë e armatosura speciale, që deri më tash kanë treguar urrejtjen ndaj gjithçka që është serbe, bëri kërcënimin më direkt ndaj përfaqësuesit ligjor dhe legjitim politik të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë dhe Metohi”, u tha në deklaratën e Listës Serbe.

Lista Serbe tha se Sveçla dhe Kurti janë “përgjegjës për situatën në të cilën jemi sepse për muaj keni bërë represion ndaj popullatës së pafajshme serbe”.

“Pas këtij kërcënimi direkt të Kurtit dhe Sveçlës, ne ju themi atyre se do t’i mbajmë përgjegjës në rast se rrezikohet siguria fizike e Rakiqit apo çdo qyteti tjetër”, tha Lista Serbe.

Disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës që nga 10 dhjetori. Ngritja e barrikadave u bë në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici të Kosovës.

Dejan Pantiq, sipas autoriteteve në Kosovë, dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të shtetit.

Kosova ka rritur prezencën e policisë në veriun e banuar me shumicë serbe, ndërkaq për shkak të barrikadave ka mbyllur për qarkullim dy pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Aktualisht, sipas autoriteteve, në veri të Kosovës janë ngritur nëntë barrikada, teksa që nga fillimi i dhjetorit në këtë pjesë të shtetit janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.

XS
SM
MD
LG