Ndërlidhjet

Sveçla mohon se Kosova ka ngritur gjendjen e gatishmërisë ushtarake


Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Fotografi nga arkivi.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Fotografi nga arkivi.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se janë të pavërteta deklarimet se Kosova ka ngritur gjendjen e gatishmërisë ushtarake, duke akuzuar Serbinë se ka për synim “destabilizimin dhe luftën”.

Këto deklarata të Sveçlës vijnë pasi shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, deklaroi se Kosova ka rritur në nivelin më të lartë gatishmërinë luftarake të forcave të sigurisë, dhe sipas tij, ato ato po “përgatiten për të sulmuar popullin serb në barrikada”.

“Deklarimet se Republika e Kosovës ka ngritur gjendje gatishmërie janë tërësisht të pavërteta dhe janë pjesë e propagandës së dyshes Serbi- Rusi. Është pikërisht Serbia e ndikuar nga Rusia ajo që ka ngritur gjendje gatishmërie ushtarake, po urdhëron ngritjen e barrikadave të reja, për të arsyetuar dhe mbrojtur grupet kriminale që terrorizojnë në veçanti qytetarët e etnisë serbe që jetojnë në Kosovë”, tha Sveçla përmes një postimi në Facebook.

Ministri Sveçla tha se Policia e Kosovës ka detyra të përditshme që kryen, “e jo gatishmëri për luftë”.

“Kjo vlen edhe për Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila kryen detyrat e saj të përditshme dhe as që bëhet fjalë për ngritje të gatishmërisë apo angazhim të rezervistëve”, shtoi Sveçla.

Më 26 dhjetor, Serbia njoftoi se ka rritur në nivelin më të lartë gatishmërinë luftarake të ushtrisë dhe policisë.

Sveçla po ashtu tha se Serbia po përdor barrikadat e ngritura në veri të Kosovës, për të “luftuar sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit fqinj” dhe shtoi se Kosova “është e interesuar të luftojë krimin dhe bandat kriminale, brenda shtetit tonë, të kujtdo qofshin ato”.

Më 27 dhjetor në veri të Kosovës u ngritën edhe dy barrikada të reja. Disa serbë lokalë kanë nisur ngritjen e barrikadave qysh më 10 dhjetor, pas arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Dejan Pantiq dyshohet se ka organizuar sulmin e 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Kosova ka thënë se pas barrikadave qëndrojnë “bandat kriminale” që kanë mbështetjen e Serbisë. Zyrtarët në Serbi kanë mbështetur barrikadat, ndërkaq serbët në Kosovë kanë vendosur kushte për largimin e tyre.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ka kapacitete që t’i heqë vetë barrikadat, por i ka dhënë kohë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të veprojë në këtë drejtim.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se barrikadat do të hiqen kur Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

XS
SM
MD
LG