Ndërlidhjet

Xi do të bëhej “mëkatar i gjithë kinezëve nëse sulmon Tajvanin”


Flamuri i Tajvanit.

Presidenti kinez Xi Jinping, do të bëhej “mëkatar” i gjithë popullit kinez, nëse do të sulmonte Tajvanin, ka thënë Chen Ming-tong, udhëheqës i Byrosë për Siguri Kombëtare të Tajvanit.

Sipas tij, Xi nuk do të mund të fitonte këtë luftë, pasi do të përballej me sanksione ndërkombëtare dhe izolim diplomatik.

Kina e ka rritur presionin politik dhe atë ushtarak kundër Tajvanit – ishull që vetëqeveriset – në dy vjetët e fundit, me pretendimet se gëzon sovranitetin e këtij vendi, diçka që Taipei e kundërshton ashpër.

Në hapje të Kogresit të Partisë Komuniste në Kinë, dielën e diel, Xi ka thënë se i takon popullit kinez që të zgjidhë çështjen e Tajvanit, dhe se, Kina nuk do të heqë dorë kurrë nga përdorimi i forcës, ndonëse fillimisht është për zgjidhje paqësore.

Duke folur para gazetarëve, Chen Ming-tong, ka thënë se Xi do të mund të përballej me katastrofë, nëse çon përpara kërcënimet për sulm kundër Tajvanit.

“Nuk ka mundësi të fitores, nëse përdoret forca kundër Tajvanit”, ka thënë ai.

“Xi do t’i jepte fund të ashtuquajturës ripërtërije të popullit kinez, dhe do të bëhej mëkatar i popullit të tij”, ka thënë Chen, duke iu referuar ndarjeve mes atyre që janë kinezë sipas etnisë, dhe atyre që kanë shtetësi kineze.

Qeveria e Tajvanit e ka përsëritur disa herë se ky ishull, me 23 milionë banorë, duhet të vendosë vetë për të ardhmen.

Muajin e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se forcat amerikane do të mbrojnë Tajvanin, në rast të ndonjë sulmi kinez.

Uashingtoni ka ecur gjithmonë në një litar të hollë diplomatik sa i përket çështjes së Tajvanit dhe Kinës.

Politikat amerikane nuk parashohin veprime ushtarake në Tajvan, mirëpo presidenti Biden ka shkuar përtej tyre dhe ka përsëritur disa herë se Uashingtoni do ta mbronte Tajvanin.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë rritur në muajt e fundit, sidomos pas një vizite në Taipei të udhëheqëses së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi.

Kina, më pas, ka kryer stërvitje të mëdha ushtarake, si kundërpërgjigje ndaj vizitës së Pelosit.

Tajvani i ka dënuar veprimet e Kinës dhe i ka konsideruar “tejet provokative”.

Raportet mes Kinës dhe Tajvanit

  • Pse Kina dhe Tajvani kanë marrëdhënie të tensionuara? Kina dhe Tajvani janë ndarë gjatë luftës civile më 1940, mirëpo Pekini insiston se ishulli do t’i kthehet dikur.
  • Si qeveriset Tajvani? Ky ishull ka kushtetutën e vet, liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike, dhe rreth 300,000 trupa aktive ushtarake në mesin e forcave të armatosura.
  • Kush e njeh Tajvanin? Vetëm pak shtete. Shtetet e Bashkuara nuk kanë lidhje zyrtare me Tajvanin, mirëpo kanë një ligj që parasheh dërgimin e mjeteve që i duhen ishullit për ta mbrojtur veten.
XS
SM
MD
LG