Ndërlidhjet

Inspektorët ndërkombëtarë pritet të shkojnë në Zaporizhja para 5 shtatorit


Rajoni i Zaporizhjas, Ukrainë. 12 gusht 2022.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) pret të dërgojë një mision në centralin bërthamor të Zaprizhjas para 5 shtatorit, raporton Bloomberg duke cituar burime diplomatike.

"IAEA dëshiron të vizitojë vendin [centralin] para 5 shtatorit".

“Vizita e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike në centralin bërthamor të Zaporizhjas në Ukrainën jugore do të përfshijë autoritetet e sigurisë, përveç zyrtarëve përgjegjës për llogaritjen e materialit bërthamor në vend, sipas dy diplomatëve të cilët kanë njohuri për vizitën, por që kërkouan të mos identifikohen”, raporton Bloomberg.

Zaporizhja është centrali më i madh bërthamor në Evropë.

Përfshirja e ekspertëve të sigurisë do të lejojë agjencinë të kryejë potencialisht një vlerësim mjeko-ligjor të granatimeve në uzinë, e cila mund të përdoret për të mbajtur përgjegjës sulmuesit.

Sipas diplomatëve, një mision ndërkombëtar dy-javor kishte planifikuar [të shkonte në central] përpara se lufta të shpërthente dhe ky do të ishte vlerësimi i parë i sigurisë në Zaporizhja në 16 vjet.

Shefi i IAEA-së, Rafael Grossi, tha se Kievi dhe Moska kanë rënë dakord që personeli i mbikëqyrësit të OKB-së duhet të shkojë për të inspektuar situatën në centralin bërthamor të Zaporizhjas.

Duke folur për televizionin France më 25 gusht, Grossi tha se bisedimet për marrjen e qasjes në objekt po përparonin dhe se "ne jemi shumë, shumë afër" për të rënë dakord për një vizitë në stacionin më të madh bërthamor të Evropës brenda disa ditësh.

Nga ana e saj, The Wall Street Journal (WSJ) gjithashtu raportoi të enjten se dhjetëra ekspertë dhe ish-zyrtarë përmes një letre i kanë bërë thirrje presidentit të SHBA-së që të kërkojë një inspektim të menjëhershëm të IAEA-s në Zaporizhja.

"Shpresojmë se do të ndërmerrni veprime urgjente për të ndihmuar në ralizimin e vizitës së IAEA-së në Zaporizhja, për të parandaluar një fatkeqësi të mundshme humanitare dhe ekologjike", citoi WSJ-së një kopje të letrës të marrë nga gazeta.

Centrali i Zaporizhjas është nën kontrollin rus prej 4 marsit, pak kohë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt. Inxhinierët ukrainas janë lejuar që të vazhdojnë të operojnë me centralin, nën mbikëqyrjen ruse.

Javëve të fundit ka pasur luftime midis forcave ruse dhe ukrainase, gjë që ka rritur shqetësimet për ndonjë fatkeqësi bërthamore.

Si Ukraina, ashtu edhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për granatime të centralit.

XS
SM
MD
LG