Ndërlidhjet

Autoritetet në Prishtinë po hetojnë zarfet nga Serbia


Policia del në vendngjarje pas raportimeve për zarfet nga Serbia
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:52 0:00

Policia del në vendngjarje pas raportimeve për zarfet nga Serbia

Ka arritur në 11 numri i personave të cilët janë pranuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, pasi kanë qenë në kontakt me zarfet me vota, të ardhura nga Serbia.

Gjendja e pacientëve, sipas mjekëve në Klinikën Infektive, është stabile.

Për shkak të mungesës së rezultateve, nuk dihet ende se si erdhi deri te paraqitjet e alergjive te këta persona. Andaj, autoritetet në Prishtinë kanë paralajmëruar hetimin dhe ekzaminimin e mostrave.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së kësaj klinike, Linda Ajazaj-Berisha, tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja e pacientëve është e mirë dhe janë duke u bërë analizat e nevojshme, për të kuptuar shkakun e shfaqjes së reaksionit alergjik.

"Për momentin gjendja e pacientëve është stabile. Ne i kemi në klinikë 11 pacientë. Mbrëmë vonë është pranuar edhe një rast, nëntë femra dhe dy meshkuj. Janë marrë të gjitha mostrat dhe presimi rezultate. Asgjë nuk mund të themi diçka të detajuara pa pasur rezultate të analizave", tha Ajazaj- Berisha.

Në anën tjetër, Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës janë duke kryer ekzaminimet e nevojshme, për të zbuluar detajet, se si ndodhi rasti.

Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë së Shtetit, tha për Radion Evropa e Lirë se për vazhdimin e punës së mëtejme, janë duke pritur edhe rezultatet e analizave toksikologjike.

"Sapo e kemi pranuar informatën, prokurori i shteti ka dal në vendin e ngjarjes për t'i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme, hetime. Ndërkaq për pjesën tjetër, për momentin nuk mund të japim informata të tjera. Sapo t’i marrim rezultate e analizave [shëndetësore], atëherë besoj se Prokuroria do të jetë në gjendje që të deklarohet lidhur me ketë çështje", tha Lutfiu.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë ndonjë informatë shtesë lidhur me hetimet që po zhvillon, derisa në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, thonë se janë duke pritur autoritetet kompetente që të dalin me përfundimet e tyre lidhur me këtë rast, në mënyrë që më pas, KQZ-ja të vazhdojë punën normale.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar sot me kryetaren e KQZ-së, Valdete Dakën, Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezin dhe Drejtorin e AKI-së, Shpend Maxhunin, të cilët e kanë informuar për rezultatet e hetimeve rreth raporteve për helmim të punëtorëve të KQZ-së, të cilët kishin kontakt me zarfet e ardhur prej jashtë Kosovës në objektin e shërbimit të votuesve, ku ishin të vendosura votat e diasporës.

“Kërkoj nga institucionet shtetërore që me profesionalizëm të hetohet tërë rasti dhe të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm për të zbardhur dyshimet për helmim të personelit të KQZ-së”, ka thënë presidenti Thaçi.

Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore njoftuan se pritet të përfundohet ekzaminimi i mostrave të zarfeve të marra në Shërbimin e Votuesve.

Ekzaminimet, sipas tyre, do të bëhen së bashku me ekspertë ndërkombëtarë, ndonese nuk është saktësuar se cili laborator ndërkombëtar do të mund t'i kryejë ato.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha për Radion Evropa e Lirë, se KQZ-ja i ka dhënë leje Prokurorisë dhe Policisë që të procedojnë me rastin sipas Kodit të Procedurës Penale.

"Normalisht se i dërgojnë për t’i bërë ekspertizë konform proceduarave sepse tashmë është hapur rast penal dhe krejt shkon sipas Kodit të Procedurës Penale. Nuk e di se a mund të bëhen [analizat] në Kosovës apo jo. Nuk mund të jap unë ndonjë shpjegim", tha Daka.

Nga ana tjetër, zyrtarët nga Zyra e Kryerokurorit të Shtetit, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se për angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë, "ende nuk ka ndonjë gjë që mund të thuhet tash për tash".

Por, për autoritetet në Beograd, gjithçka në lidhje me zarfet nga Serbia është një përpjekje për manipulim. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq kishte deklaruar se kjo është tendencë për manipulimin e votave të serbëve të Kosovë.

“Po përgatitet manipulimi i votave të qytetarëve serbë, për t’u hapur rrugë njerëzve të (kryetarit të Vetëvendosjes, Albin) Kurtit në Parlament”, thuhej në reagimin e tij.

Beogradi, nuk e fsheh se e mbështetë vetëm Listën Serbe si subjekt politik që përfaqëson serbët në institucionet e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se është shumë i shqetësuar për situatën në Kosovë, duke theksuar se “çdo përpjekje për të shfuqizuar Listën Serbe, mund të ketë pasoja katastrofale për marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve”.

Vuçiq tha se Lista Serbe mori 96 për qind të votave të serbëve të Kosovës në zgjedhje.

Ai akuzoi, siç tha, shqiptarët se kishin shpikur "disa tregime për zarfe helmuese me vota nga Serbia".

"Tashmë ata nuk janë më të sigurt nëse janë helmuar. Ata nuk dinë çfarë të shpikin, por konstatojnë se Lista Serbe duhet të shfuqizohet. Kjo, do të ketë pasoja katastrofale për marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve sepse serbët nuk do të jenë më në institucione. Dhe kur serbët nuk janë në institucione, ju e dini si do të duhet të mbrojnë lirinë dhe vatrën e tyre ”, tha Vuçiq.

Të dielën, 11 persona kërkuan ndihmë mjekësore, pasi teksa ishin duke verifikuar zarfet e votave të ardhura nga Serbia, në duart dhe fytyrën e tyre, u shfaqën shenja të një lloj alergjie.

Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur se për çfarë lloj alergjie bëhet fjalë.

XS
SM
MD
LG