Ndërlidhjet

Zelensky zotohet për çrrënjosje të korrupsionit në Ukrainë


Volodymyr Zelensky më 23 janar 2023.
Volodymyr Zelensky më 23 janar 2023.

Disa zyrtarë të lartë ukrainas dhanë dorëheqje ose u shkarkuan më 24 janar pasi presidenti Volodymyr Zelensky u zotua për çrrënjosje të korrupsionit nga administrata e tij, pas një skandali korrupsioni që mund të kërcënojë mbështetjen perëndimore për lidershipin aktual në Kiev.

Shkarkimet dhe dorëheqjet u bënë në kohën kur Polonia dërgoi një kërkesë zyrtare në Berlin për të rieksportuar tanket e saj Leopard 2 të prodhimit gjerman në Ukrainë.

Berlini e ka marrë kërkesën zyrtare të Varshavës, tha ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Błaszczak, në një postim në Twitter.

Një burim i Qeverisë gjermane tha për Reuters se kërkesa e Varshavës për të rieksportuar deri në 14 tanke Leopard 2 në Ukrainë, është pranuar, megjithëse Gjermania nuk e ka konfirmuar zyrtarisht.

Gjermania, fillimisht, kishte treguar hezitim si për t'i ofruar tanke të tilla Kievit, ashtu edhe për t'i lejuar vendet e treta që kanë tanke Leopard që t'i dërgojnë ato në Ukrainë.

Por, Berlini është nën presion të fortë nga Ukraina dhe disa aleatë të NATO-s për të ndryshuar pozicionin e tij dhe për të lejuar rieksportimin e Leopardëve.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është i bindur se Aleanca do të gjejë një zgjidhje të shpejtë për dërgimin e tankeve luftarake në Ukrainë.

"Në këtë moment kyç të luftës, ne duhet të ofrojmë sisteme më të rënda dhe më të avancuara në Ukrainë, dhe ne duhet ta bëjmë një gjë të tillë më shpejt”, u tha Stoltenberg gazetarëve, duke qëndruar përkrah ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, më 24 janar.

Më 23 janar, grupi gjerman i mbrojtjes Rheinmetall tha se mund të dorëzonte 139 tanke luftarake Leopard në Ukrainë, nëse një gjë e tillë kërkohet gjatë muajve të ardhshëm.

Kremlini, ndërkohë, tha se dërgesat gjermane të tankeve në Ukrainë nuk do të sillnin "asgjë të mirë në marrëdhëniet e ardhshme" mes Berlinit dhe Moskës.

Zhvillimi në dërgesat e mundshme të tankeve po ndodh në një kohë, kur autoritetet ukrainase u zotuan se do ta luftojnë korrupsionin, me tre zyrtarë që njoftuan për largimin e tyre të martën.

Nënkryetari i administratës presidenciale, Kyrylo Tymoshenko, njoftoi më 24 janar se i kishte paraqitur dorëheqjen Zelenskiyt.

"Falënderoj presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për besimin dhe mundësinë për të kryer vepra të mira çdo ditë dhe çdo minut”, shkroi Tymoshenko në Telegram.

Pak kohë pas njoftimit të Tymoshenkos, zëvendësministri i Mbrojtjes, Vyacheslav Shapovalov, që ishte përgjegjës për furnizimin e ushtrisë me ushqim dhe pajisje, gjithashtu dha dorëheqje, duke përmendur "akuzat e mediave" për korrupsion. Në një njoftim në faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se dorëheqja e Vyacheslav Shapovalovit ishte "veprim i denjë", që do të ndihmojë në ruajtjen e besimit në ministri.

Dy zëvendësministra, Vyacheslav Nehoda dhe Ivan Lukerya, dhanë gjithashtu dorëheqje nga Ministria e Komuniteteve dhe Zhvillimit të Territoreve të Ukrainës më 24 janar.

Nehoda dhe Lukerya konfirmuan dorëheqjet në llogaritë e tyre në Facebook.

Më 24 janar, Oleksiy Symonenko, zëvendësprokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, u shkarkua. Njoftimi për shkarkimin e tij nuk jepte arsye për vendimin, por thuhej se është bërë “sipas dëshirës së tij”.

Largimet e tre zyrtarëve pasuan njoftimin e Zelenskyt, më 23 janar, se do të bënte ndryshime në udhëheqje në nivele të larta dhe të ulta.

"Tashmë ka vendime për personelin - disa sot, disa nesër - në lidhje me zyrtarët në nivele të ndryshme në ministri dhe struktura të tjera të qeverisë qendrore e lokale, si dhe në institucionet e zbatimit të ligjit", tha Zelenskiy në fjalimin e tij.

Skandali i korrupsionit shpërtheu më 22 janar, kur Ministria e Mbrojtjes u akuzua nga një gazetë investigative për mbipagimin e furnizuesve për ushqimin e ushtarëve ukrainas. Furnizuesi ka thënë se faji ishte i tyre nga një gabim teknik dhe nuk ishin dhënë para shtesë. Ministria tha se akuzat ishin të pabaza.

Në të njëjtën ditë, zëvendësministri i Infrastrukturës i Ukrainës u arrestua me dyshimin se kishte marrë ryshfet prej 400 mijë dollarësh për importimin e gjeneratorëve në shtator, një akuzë të cilën ai e mohon.

Përgatiti: Gresa Kraja
XS
SM
MD
LG