Ndërlidhjet

Zelensky i bën thirrje Këshillit të Sigurimit për veprim për të ndaluar sulmet ruse


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. 21 nëntor 2022.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. 21 nëntor 2022.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të ndërmarrë veprime për të ndaluar sulmet ajrore ruse që synojnë infrastrukturën në vendin e tij.

Kjo thirrje erdhi pasi një tjetër sulm masiv raketor rus, më 23 nëntor, vrau gjashtë persona dhe ndërprëu energjinë në disa qytete ukrainase.

"Sot është vetëm një ditë, por ne jemi goditur nga 70 raketa. Kjo është formula ruse e terrorit", tha Zelensky në mbledhjen e këshillit përmes një video-lidhje.

Ai tha se raketat kanë goditur spitalet, shkollat, infrastrukturën e transportit dhe zonat e banuara, duke shtuar se Ukraina po pret të shohë "një reagim shumë të fortë" nga bota.

"Ne nuk mund të jemi peng i një terroristi ndërkombëtar", tha ai.

Zelensky bëri thirrje që Rusisë të mos i jepet e drejta e votës për çfarëdo vendimi që ka lidhjet me veprimet e Rusisë.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po e “përdor qartësisht dimrin si armë për t’i shkaktuar vuajtje të mëdha popullit ukrainas”.

Presidenti rus "do të përpiqet ta ngrijë vendin për t’iu nënshtruar", shtoi ajo.

Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, u përgjigj duke u ankuar se ishte kundër rregullave të këshillit që Zelenskiy të shfaqej në një videolidhje dhe hodhi poshtë ato që i quajti “kërcënime dhe ultimatume të pamatura” nga Ukraina dhe mbështetësit e saj në Perëndim.

Nebenzya tha se dëmtimi i infrastrukturën së Ukrainës u shkaktua nga raketat e lëshuara nga sistemet e mbrojtjes ajrore që ranë në zonat civile dhe i bëri thirrje Perëndimit të mos e furnizojë më Ukrainën me raketa të mbrojtjes ajrore.

Këshilli i Sigurimit nuk pritet të ndërmarrë ndonjë veprim sa i përket apelit të Ukrainës pasi që Rusia është anëtare e përhershme me të drejtë vetoje.

Më herët, të mërkurën, ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se Rusia duhet të njihet si një shtet terrorist në të gjithë botën pas sulmeve masive me raketa.

Kuleba tha se sulmet e fundit me raketa duhet t'ia bëjnë të qartë çdo vendi që ishte ende në dyshim se "Rusia duhet të njihet si [një] shtet terrorist në mbarë botën dhe Ukrainës duhet t’i jepen të gjitha sistemet e nevojshme të mbrojtjes ajrore sa më shpejt që të jetë e mundur".

Mesazhi i tij në Twitter erdhi pasi Parlamenti Evropian e cilësoi Rusinë si shtet sponsorizues të terrorizmit.

Kuleba tha se Rusia nisi "terrorin me raketa kundër kryeqytetit të Ukrainës dhe qyteteve të tjera" si festim të kësaj deklarate nga BE-ja. Rusia nuk ka mundur të fitojë në luftë të drejtë kundër ushtrisë ukrainase, kështu që "po zhvillon një luftë frikacake terrori kundër civilëve", tha ai.

Ihor Klymenko, shefi i Policisë Kombëtare të Ukrainës, tha se raketat e lëshuara më 23 nëntor goditën 16 objekte në territorin e Ukrainës, duke përfshirë një ndërtesë banimi në rrethin Vyshhorod të rajonit të Kievit, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur 20 të tjerë.

Ndër viktimat ishte edhe një foshnjë e porsalindur, që u vra pasi një raketë goditi një repart materniteti në Ukrainën jugore.

Ushtria ukrainase tha se mbrojtja e saj ajrore i shkatërroi 51 nga 70 raketat e lëshuara nga rusët.

Këto sulme kanë dëmtuar infrastrukturën në Kiev, duke lënë disa zona të kryeqytetit pa energji elektrike, ngrohje dhe ujë, por po punohet për t’i rikthyer këto shërbime, tha administrata ushtarake e Kievit në Telegram, duke premtuar se nxehja dhe uji do të rikthehen të enjten.

Raketat ruse detyruan gjithashtu mbylljen e termocentraleve bërthamore dhe disa rajone të Ukrainës dhe Moldavisë fqinje raportuan ndërprerje të energjisë elektrike. Qyteti i Lviv në Ukrainën perëndimore ka mbetur plotësisht pa energji elektrike, tha kryebashkiaku Andriy Sadoviy.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u citua të ketë thënë se Rusia ka besim në suksesin e ofensivës së saj në Ukrainë.

"E ardhmja dhe suksesi i operacionit special janë përtej çdo dyshimi", tha Peskov.

Para se ta njihte Rusinë si një shtet sponsorizues të terrorizmit, Parlamenti Evropian tha se sulmet ushtarake të Moskës ndaj caqeve si infrastruktura energjetike, spitalet, shkollat dhe strehimoret shkelin ligjin ndërkombëtar.

Uebfaqja e Parlamentit Evropian më pas u godit nga një sulm kibernetik. Roberta Metsola, presidentja e parlamentit, tha se një grup pro-Kremlin e mori përgjegjësinë për këtë sulm.

Zelenskiy gjithashtu falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një pako të re ndihme prej 400 milionë dollarësh. Në këtë pako përfshihen armë, municione dhe pajisje të mbrojtjes ajrore, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

“Municionet e artilerisë, zjarrit preciz, raketat e mbrojtjes ajrore dhe mjetet taktike që ne po ua dërgojmë do t'i shërbejnë më së miri Ukrainës në fushën e betejës”, tha Blinken në një deklaratë.

Pentagoni tha se pakoja përfshinte municione shtesë për sistemet e mbrojtjes ajrore NASAMS dhe për sistemet e raketave të artilerisë me lëvizshmëri të lartë.

XS
SM
MD
LG