Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka shkarkuar të premten shefat e të gjitha qendrave për rekrutim në të gjitha rajonet e vendit, nën akuzat për korrupsion të cilat, sipas tij, mund të cilësohen si tradhti e lartë.
“Po i shkarkojmë të gjithë komisarët rajonal të ushtrisë”, tha Zelensky në rrjetet sociale, pas një takimi me lidershipin e lartë të ushtrisë.
“Ky sistem duhet të udhëhiqet nga njerëz të cilët e dinë saktësisht se çfarë është lufta, dhe pse cinizmi dhe ryshfeti në kohë luftë është tradhti e lartë”, shtoi ai.
Në front: Përparime të vogla në kundërofensivën e Ukrainës
Pas muajsh përgatitjesh dhe rifurnizimi -- me deri në nëntë brigada të blinduara të sapoformuara, të trajnuara nga NATO -- kundërofensiva e Ukrainës për të thyer mbrojtjen e shumëfishtë të Rusisë po shkon ngadalë.
Përmasat dhe kompleksiteti i mbrojtjes ruse në të gjithë Ukrainën jugore dhe lindore janë dëshmuar të frikshme.
Trupat e Kievit morën një sërë fshatrash në jug të Velika Novosilkas dhe pushtuan tokat rreth Bahmutit, si në veri të qytetit ashtu edhe në jug të tij, pranë fshatit Klishçijivka.
Në rajonin e Zaporizhjas, forcat e Kievit u përplasën me atë që ekspertët e përshkruan si një mulli mishi i fortifikimeve ruse -- shumë llogore, fusha të minuara, tela me gjemba, mbrojtje kundër tankeve, kuti pilulash -- që i detyruan njësitë ukrainase të mblidhen në rripa të ngushtë toke ku u ndëshkuan nga artileria ruse.
Mbrojtjet janë quajtur "Linjat e Surovikinit", të quajtur sipas gjeneralit rus Sergei Surovikin, i cili komandoi shkurtimisht forcat e Moskës që pushtuan Ukrainën derisa u ul në detyrë në janar.
Në një fjalim në Uashington më 30 qershor, kryetari i shefave të përbashkët të shtabit të SHBA-së mbrojti përparimin e Ukrainës. "Që po ecën më ngadalë nga sa parashikonin njerëzit, nuk më befason aspak", tha gjenerali Mark Milley.
Kievi është duke i rekrutuar ukrainasit në batalione për sulme në kundërofensivën e saj kundër forcave ruse, në përpjekje për ta çliruar vendin nga pushtimi i trupave të Moskës.
Ky vendim pasqyron përpjekjet e Ukrainës për ta luftuar ryshfetin dhe korrupsionin, si pjesë e reformave të thella të kërkuara nga institucionet e Perëndimit, si Bashkimi Evropian, të cilit Ukraina shpreson t’i bashkohet.
“Gjatë inspektimit të qendrave të rekrutimit, agjencitë e sundimit të ligjit zbuluan raste të korrupsionit”, tha presidenca ukrainase në një komunikatë për media.
Presidenca shtoi se këto “përbëjnë kërcënim ndaj sigurisë kombëtare të Ukrainës dhe e minojnë besimin në institucione shtetërore”.
Këshilli i Sigurimit i Ukrainës rekomandoi që shefi i ushtrisë t’i përzgjedhë zëvendësuesit të cilët kanë përvojë në fushëbetejë dhe të cilët janë verifikuar nga shërbimet inteligjente të Ukrainës.