Ndërlidhjet

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit drejt zhbllokimit


Kuvendi i Kosovës, 10 gusht

Kuvendi i Kosovë pritet që këtë javë të bëjë një përpjekje të re në kuadër të përmbylljes së seancës konstituive, që ka si qëllim zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të këtij institucioni.

Ndërkohë, përpjekjet e partive politike në koalicionin PAN ku bëjnë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për të siguruar votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, janë duke vazhduar.

Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti Adem Mikullovci, ka thirrur për të enjten vazhdimin e seancës së nisur që nga 3 gushti.

Analisti politik, Imer Mushkolaj tha për Radion Evropa e Lirë se lëvizjet e fundit politike nga subjekti Aleanca Kosova e Re, e cila ka paralajmëruar zgjidhje edhe jashtë koalicionit të saj me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Alternativën, japin indikacione se konstituimi i Kuvendit do të ndodh shpejt.

"Krijimi i institucioneve të reja brenda kësaj javë është në dorën e zotit [Behgjet] Pacolli. Ai ka dhenë sinjale të qarta se tashmë dëshiron që ta zhbllokoj situatën. Natyrisht që kur e thotë një gjë të tillë dihet se po i bashkohet koalicionit PAN. Kjo zvarritje e mëtejme, thënë kushtimisht, varet shumë vetëm nga mënyra sesi zoti Pacolli do të behet pjesë e Qeverisë, respektivisht nga pozitat që ai mund t'i kërkojë për vete dhe partinë e tij", thotë Mushkolaj.

Zgjidhja që ka ofruar Aleanca Kosova e Re, vijon Mushkolaj, bëhet edhe më e besueshme për faktin se nuk ka asnjë përafrim apo ndonjë marrëveshje ndërmjet partive të tjera, përkatësisht ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

"Vetëvendosja dhe LDK-ja kanë kontradikta shumë të mëdha dhe tash për tash bashkëpunimi mes tyre mungon dhe nuk mund të bashkëpunojnë për të krijuar një shumicë të nevojshme. Andaj, Pacolli shihet si zhbllokues i situatës", thekson Mushkolaj.

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ditë më parë pati thënë se një Qeveri gjithëpërfshirëse do të ishte zgjidhje për zhbllokimin e nyjës politike për formimin e institucioneve.

Edhe Valmir Ismajli, analist nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”, konsideron se bllokadës së formimit të institucioneve. e cila ka nisur që nga data 3 gusht, gjatë kësaj jave mund t'i vije fundi.

Ai thotë se tash më është e qartë se Aleanca Kosova e Re, do t'i bashkohet koalicionit PAN dhe do të largohet nga koalicioni i njohur si LAA-së, ku bëjnë pjesë Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativa.

"Këtë të enjte pritet që të kemi konstituimin e Kuvendit. Zoti Veseli duket se do të jetë prap kryetar i Kuvendit me votat e AKR-së. Nuk është shumë e qartë nëse do të kemi edhe Qeverinë në këtë javë, pasi që PAN-i do t’i bëj edhe disa kalkulime duke llogaritur se mund të 'peshkojë' edhe ndonjë deputet tjetër nga koalicioni LAA ose ndonjë përllogaritje sa i takon zgjedhjeve lokale", tha Ismajli.

Sipas Ismajlit, pas konstituimit të Kuvendit, formimi i Qeverisë se re mund të shtyhet për shkak të numrave jo të mjaftueshëm të votave. Ai konsideron se pavarësisht nëse votat për formimin e saj do të sigurohen, Kosova mund të ketë sërish një Qeveri të paqëndrueshme.

"Kurdo që të ndodh formimi i Qeverisë nuk do të jetë stabil, sepse numri është shumë minimal dhe do të detyrohet që çdo herë të gjithë anëtarët e partive në pushtet të jenë të pranishëm në Kuvend, në mënyrë që ta mbivotojnë opozitën. Pra, edhe nëse kemi Qeveri ajo do të jetë jostabile dhe me një afat të shkurtër nëse nuk do të kemi ndonjë ndryshim të pozicioneve nga subjektet e tjera politike", tha Ismajli.

Organet drejtuese të partisë, Aleanca Kosova e Re, kanë autorizuar liderin e saj , Behgjet Pacollin, që bashkë me deputetët e zgjedhur dhe kryesinë e ngushtë, të shohë mundësi të gjetjes së daljes nga kriza dhe të shohë mundësi të tjera alternative jashtë koalicionit me LDK-në dhe Alternativën.

Kjo lëvizje e AKR-së tash për tash po shihet si mundësi për zgjidhjen e nyjës politike, pasi që Kuvendi i Kosovës që nga 3 gushti nuk arriti të përmbyllë seancën konstituive për shkak të mungesës së minimumit prej 61 votave nga koalicioni fitues i zgjedhjeve (PAN), për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG