Ndërlidhjet

Zgjedhjet e përballin Suedinë me bllokadë politike


Zgjedhjet e përgjithshme në Suedi kanë rezultuar me varësi në mes të dy blloqeve kryesore politike, derisa është vërejtur rritje e mbështetjes për partinë kundër migrimit, krahasuar me rezultatet e zgjedhjeve të kaluara.

Partitë e të djathtës ekstreme kanë shënuar rritje tejet të madhe në gjithë Evropën në vitet e fundit teksa rriten shqetësimet për identitetin kombëtar dhe efektet e globalizimit dhe migrimit, duke përfshirë konfliktin e armatosur në Lindje të Mesme dhe Afrikën Veriore.

Në Suedi, një fluks prej 163,000 azilkërkuesve më 2015, njëherësh më i madhi në ndonjë vend të Evropës, krahasuar me popullësinë e këtij vendi prej 10 milionë banorësh, ka ndarë votuesit si dhe konsensusin afatgjatë politik në këtë shtet.

Pas pothuajse numërimit të të gjitha votave, partia Social Demokrate që ka qenë në pushtet së bashku me Partinë e Gjelbër dhe aleatët parlamentarë të majtë kanë fituar 40.6 përqind të votave, derisa Aleanca opozitare e qendrës së djathtë ka fituar 40.3 përqind.

Ky rezulatat i ka dhënë qendrës së majtë 144 ulëse në krahasim me 142 vende tjera për Aleancën në Parlamentin me 349 ulëse, duke parashikuar kështu disa javë të pasigurisë para se të formohet qeveria e re.

Partia e Demokratëve të Suedisë, e cila ka rrënjë të supremacistëve të bardhë, ka fituar 17.6 përqind të votave, apo 63 ulëse, në krahasim me 49 sa kishte në zgjedhjet e katër vjetëve më parë, duke shënuar kështu rritjen më të madhe në Parlamentin e Suedisë.

Rezultatet kanë qenë në linjë me sondazhet paraprake, pavarësisht se asnjëra nga to nuk ka parashikuar një rritje aq të madhe të Partisë së Demokratëve të Suedisë.

Lideri i kësaj partie, Jimmie Akesson ka thënë se pavarësisht pse nuk kanë arritur të fitojnë 20 përqind të votave, siç kishte deklaruar më parë, partia e tij është fituese e zgjedhjeve.

“Ne do të kemi ndikim të madh rreth asaj që do të ndodhë në Suedi në javët, muajt dhe vitet që vijnë”, ka thënë Akesson para kolegëve të tij partiakë.

Akession shpreson që partia e tij, e cila synon të largojë Suedinë nga Bashkimi Evropian dhe të ngrijë çështjen e migrimit, do të luajë një rol vendimtar në negociatat për formimin e Qeverisë së re.

Ai i ka bërë thirrje, kandidatit të qendrës së djathtë të Aleancës, Ulf Kristersson, për bashkëpunim mes të dy palëve apo të pranojë edhe për katër vjet tjera kryeministrin e Social Demokratëve, Stefan Lofven.

Kristersson nën anën tjetër i ka bërë thirrje Lofven për dorëheqje, mirëpo edhe ka kundërshtuar Akesson.

“Ne kemi qenë plotësisht të qartë gjatë gjithë procesit zgjedhor. Aleanca nuk do të qeverisë apo të diskutojë për formim të Qeverisë me Social Demokratët”, ka thënë ai.

Demokratët e Suedisë në anën tjetër, të lënë anash nga të gjitha partitë prej kur kanë hyrë në parlament më 2010, kanë premtuar se do të fundosin përpjekjet e secilit Kabinet, që refuzon t’iu japë atyre të drejtën e fjalës në politikë, sidomos në çështjet e imigrimit.

Mirëpo Lofven ka thënë se nuk do të japë dorëheqje dhe ka bërë thirrje për bashkëpunim, në mënyrë që të zgjidhet bllokada politike.

“Nuk ka asnjë anë të shumicës. Prandaj është e natyrshme të punojmë përtej ndasive politike për ta bërë të mundur qeverisjen e Suedisë”, ka thënë ai.

Rritje të zërave euroskeptikë

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve do të shtojnë shqetësimet në Bruksel, meqë Bashkimi Evropian hyn në kohën e fushatës për zgjedhjet në Parlamentin Evropian në muajin maj, çka mund të ndikojë në fuqizim të zërave eurospektikë dhe të dobësojë përpjekjet për një integrim më të madh në BE.

Niveli rekod i azilkërkuesve më 2015 ka rritur shqetësimet për sistemin e mirëqenies në Suedi, pasi për shumë votues Suedia tashmë veçse është në krizë, pavarësisht se numri i refugjatëve ka rënë ndjeshëm që nga ajo kohë.

Pritjet në rradhë të gjata për operacione kritike, zvogëlimi i numrit të mjekëve dhe mësuesve, si dhe dështimi për t’u përballur me grupe të dhunshme ka shkundur besimin në “modelin suedez”, të ndërtuar në një mirëqenie të përbashkët dhe gjithëpërfshirje shoqërore.

Studenti 32 vjeçar, Katze Collmar, i cili ka votuar në qendër të Stokholmit ka thënë se fushata ka qenë “shumë e pakëndshme”.

“Duket se Suedia mund të bëjë një hap në këto zgjedhje, nga i cili nuk do të mund të kthehemi si kemi qenë aq shpejt”.

Lofven mund të mbetet në pushtet, përveç rastit kur Aleanca do të kishte mbështetjen e Demokratëve të Suedisë, çka mund të kushtojë me zëra më të fuqishëm të politikës kundër migrantëve.

Andaj atij i duhet të tejkalojë dekada të armiqësisë në mes të dy blloqeve dhe të fitojë përkrahjen e partive të qendrës së djathtë, diçka që tashmë të dyja palët e kanë hedhur poshtë.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG