Dëgjohen shpërthime në veri
Në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, janë dëgjuar shpërthime mbrëmjen e 9 dhjetorit.
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë thanë se njëri nga shpërthimet është dëgjuar te lagjja Tri Rrokaqiejt.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë qenë të paqasshëm për të dhënë detaje se çfarë ka shkaktuar këto shpërthim.
Sveçla: Dy serbë të arrestuar për sulme ndaj Policisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se brenda dy ditësh janë arrestuar dy serbë, që ishin në kërkim për sulme ndaj zyrtarëve policorë.
“Siç edhe jemi zotuar në vazhdimësi, lufta jonë kundër krimit dhe rritja e sigurisë për qytetarët pa dallim nuk kanë alternativë. Do të vazhdojmë angazhimin maksimal që të gjithë kryesit e veprave kriminale e terroriste të sillen para drejtësisë”, tha Sveçla.
Ky njoftim vjen pasi Policia e Kosovës tha se më 9 dhjetor arrestoi një serb, të dyshuar për përfshirje në një sulm me armë zjarri ndaj zyrtarëve policorë.
M.A u arrestua në Jarinjë, në veri të Kosovës, ku gjendet një prej pikëkalimeve kufitare midis Kosovës dhe Serbisë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ky person ishte në kërkim, për një sulm ndaj Policisë që kishte ndodhur kohë më parë.
“Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimet dhe aktivitetet e saja në realizimin e objektivave policore, përfshirë edhe arrestimin dhe vënien para drejtësisë të personave të kërkuar edhe ky arrestim dëshmon se askush nuk mund t’i ikë drejtësisë dhe herët a vonë do të përballet me forcën e ligjit”, u tha në njoftim.
I arrestuari është dërguar në mbajtje.
Anëtari i KQZ-së: Nuk kemi rekomandim për shtyrje të zgjedhjeve
Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani, i tha Radios Evropa e Lirë, se ky institucion ka vendosur që të mos ketë rekomandim për shtyrje të zgjedhjeve në veri.
“Nuk është mandat i yni që të rekomandojmë shtyrjen e zgjedhjeve”, tha ai.
KQZ-ja, sipas tij, do t’i dërgojë sonte një raport presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me zgjedhjet që janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor.
“Është një raport vetëm informues për procesin zgjedhor, deri më tani, për aktivitetet që janë zhvilluar dhe për ato që janë paraparë të zhvillohen”, tha Elshani.
Për kthimin e forcave serbe në Kosovë “vendos KFOR-i”, jo Beogradi
Një ditë pasi autoritetet në Serbi thanë se po shqyrtojnë dërgimin e forcave të tyre të sigurisë në Kosovë, nuk dihet shumë nëse dhe në çfarë mënyre do të mund të bëhej një gjë e tillë.
Në përgjigje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “në territorin e Republikës së Kosovës nuk do të ketë kurrë më policë dhe ushtarë të Serbisë”.
Me paralajmërimin e tyre, autoritetet në Beograd iu përgjigjën pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, e cila është e banuar me shumicë serbe.
Tekstin e plotë e gjeni më poshtë: