Ku janë bllokuar rrugët?
Në Rudarë të Zveçanit, serbët lokalë janë mbledhur në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq nga radhët e komunitetit serb.
Bllokada të rrugëve raportohet se ka edhe në Soqanicë të Leposaviqit dhe Zubin Potok - të dyja komuna me shumicë serbe.
Sirenat, ndërkaq, janë dëgjuar në Mitrovicë të Veriut.
Sveçla: Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Policia e Kosovës ka ndaluar të shtunën ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq në pikën kufitare në Jarinjë.
“I ndaluari, sipas dëshmive të Policisë së Kosovës, ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KQZ-së në veri të vendit me ç'rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”, shkroi ai në Facebook.
Sveçla tha se Pantiq akuzohet për “kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues”.
Ai tha se grupe ekstremiste, që kanë për qëllim parandalimin e vendosjes së drejtësisë, janë organizuar në bllokim të disa rrugëve dhe ngritje të barrikadave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Bllokada në Rudarë
Osmani thotë se nuk ka koment të ri për situatën në veri
E pyetur nga gazetarët për situatën në veri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nuk ka koment të ri.
“Në veri, bandat kriminale, të udhëhequra nga lideri i tyre politik [Aleksandar] Vuçiq, nga i cili marrin urdhra, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës. Mirëpo, në këtë sfidë, sikurse në çdo tjetër deri sot, do të dalim fitimtarë”, tha ajo në konferencë për media pas takimit që pati me përfaqësuesit e partive politike.