Vuçiq e konsideron pamaturi ndalimin e Pantiqit
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka konsideruar pamaturi vendimin e autoriteteve të Kosovës për ndalim të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se ka folur me partnerët ndërkombëtarë dhe se vendimi për arrestimin e Pantiqit e ka rrezikuar paqen.
“Pantiq është ende në bazën e Policisë së Kosovës në Leposaviq dhe për këtë janë përgjigjur serbët”, ka thënë ai.
Serbët lokalë kanë bllokuar disa rrugë në veri, pak pas ndalimit të Pantiqit.
Policia e Kosovës ka mbyllur më pas dy pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.
"Sonte njerëzit tanë janë në barrikada. Njerëzit po ngrihen, sepse nuk kanë zgjidhje tjetër. Nuk fola me asnjërin prej tyre nga barrikadat sonte. Do t'i thërras pas kësaj konference. Populli e bëri vetë, dhe nuk e duron dot më mizorinë”.
Ai porositi të gjithë se nuk ka, dhe nuk do të ketë dorëzim.
Për më shumë klikoni këtu.
OSBE mirëpret shtyrjen e zgjedhjeve
Edhe kreu i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në Kosovë, Michael Davenport, ka mirëpritur vendimin e presidentes së Kosovës, për shtyrje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri – të planifikuara për 18 dhjetor – për në prill të vitit të ardhshëm.
“Mirëpres vendimin e presidentes Osmani dhe të liderëve të partive politike për të shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë komune dhe ato për asambletë komunale në veri të Kosovës. Të gjithë duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të ulur tensionet dhe për t’u përqendruar në dialog”, ka thënë ai në Twitter.
Vendimin e Osmanit e kanë mirëpritur edhe vendet e QUINT-it.
Vela: Beogradi ka përgjegjësi të plotë për çfarëdo eskalimi
Blerim Vela, shef i stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia ka udhëzuar strukturat e saj ilegale për të krijuar barrikadat në veri të Kosovës.
“Pjesëtarë të së ashtuquajturës ‘Civilna Zastita’ dhe disa ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që kanë dhënë dorëheqje në nëntor të këtij viti, janë duke krijuar barrikadat”, ka thënë Vela përmes një postimi në Twitter.
Sipas tij, “Beogradi ka përgjegjësi të plotë për çfarëdo eskalimi”.
Pas mbylljes së pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të hapura mesin edhe katër pika tjera që lidhin Kosovën dhe Serbinë.